“Rithemelimi” proteston para Kryesisë së Kuvendit
Protesta e thirrur nga grupi i “Rithemelimit” në Partinë Demokratike, i drejtuar nga Sali Berisha u zhvillua mesditën e sotme përpara Kryesisë së Kuvendit, ku po mbahej dhe mbledhja e Këshillit të Mandateve që shqyrtoi kërkesën e SPAK për lejimin e arrestimit të Berishës.
Në protestën e konsideruar si vijim i aksionit të mosbindjes civile të thirrur nga Berisha, kanë marrë fjalën deputetë, mbështetës të tij.
“Sali Berisha nuk është një individ, është simboli, personifikimi i demokracisë shqiptare, i qytetarisë, i guximit të shqiptarëve. Prandaj jemi këtu në krah të Sali Berishës”, tha Edi Paloka.
Sipas Palokës, duke iu referuar mbledhjes së Këshillit të Mandateve, “aty nuk po kërkojnë t’i heqin imunitetin Sali Berishës, por po kërkojnë të na heqin ne çdo të drejtë”.
“Sot çdo qytetari po kërkojnë t’i heqin të drejtën e jetës. Nëse nuk e kuptoni se kjo që po ndodh nuk është kundër Sali Berishës, por është kundër të gjithë shqiptarëve, do jetë vonë nesër. E kujtova dhjetorin jo më kot. E thashë se ishim pak atë ditë. Ditët e tjera u bashkuan me ne qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë dhe e rrëzuam atë regjim. Prandaj edhe ne sot duhet ta shohim veten si pionierë, si misionarë të kësaj lëvizje që në fund pa diskutim do sjellë rrëzimin e këtij regjimi”, tha Paloka.
Duke marrë fjalën në protestë, Berisha u shpreh edhe për mbledhjen e Këshillit të Mandateve. “Kjo është dëshmia më flagrante e një shteti monist, ku parlamenti, prokuroria, policia, ushtria, shërbimi informativ, janë në duart e një njeriu, kontrollohen nga një njeri”, tha Berisha.
Ai u ndal edhe tek problematika me legjitimitetin e Partisë Demokratike, çështja për vulën e së cilës ka kaluar në Gjykatën e Lartë. Berisha tha se më 27 dhjetor do të protestohet para Gjykatës së Lartë, ku sipas tij, “Edi Rama ka porositur ekzekutimin e identitetit tonë”.
Berisha tha se mosbindja civile do vijojë me protestë para Kuvendit, të enjten.
Protestuesit kanë goditur me vezë godinën e Kryesisë së Kuvendit dhe kanë hedhur tymuese gjatë protestës së sotme të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Protestë e Rithemelimit para Kryesisë së Kuvendit, foto: Florian Abazi.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade