– Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi, akuzoi për dështim të arsimit edhe në pandemi.
Gjatë një deklarate për medie nga selia e PD-së, Vokshi akuzoi qeverinë se ka dobësuar sistemin arsimor.
“Mbi 425 mijë nxënës mësuan në një sistem të dobësuar arsimor, mbi 34 mijë mësues u keqpërdorën me mësimin me 2,3 dhe 4 turne, pa u shpërblyer siç duhet. Vetëm nga informacionet e bëra publike, janë të paktën 13 mësues të ndarë nga jeta për shkak të Covid-it”,- tha ndër të tjera Vokshi.
“Rihapja e shkollave pas pandemisë nxori në pah se Edi Rama ishte pa asnjë plan për arsimin dhe vazhdoi t’i linte në mëshirë të fatit nxënësit dhe mësuesit pa shpenzuar asnjë qindarkë për sigurinë e shëndetit të tyre. Zero lekë për të përballuar pandeminë në arsim, sepse zero është shqetësimi i Edi Ramës për shkollat. Zero lekë për mësimin online. Megjithëse kishin 9 muaj në dispozicion për të ndërtuar një platformë online dhe për të siguruar akses në këtë platformë nga të gjithë nxënësit dhe mësuesit, asgjë nuk ndodhi”,- tha ish-deputetja e PD.
“Sipas të dhënave të Bankës Botërore në qytet mbi 60 për qind e familjeve nuk kanë një kompjuter apo laptop, ndërsa në fshat janë mbi 80 për qind e familjeve pa një pajisje që mundëson mësim normal online. Mësuesit ngrenë shqetësimin që, në shumë raste, vetëm 1/3 e nxënësve mund të ndjekin mësimin online. Kjo edhe për shkak të mungesës së internetit, pasi qeveria nuk mori asnjë masë për të siguruar internet falas për familjet në nevojë”,- tha Vokshi.
“Partia Demokratike propozoi një plan konkret për të ruajtur cilësinë e arsimit dhe për të siguruar kushte normale për shëndetin gjatë pandemisë. Edi Rama refuzoi ta zbatonte atë plan dhe nuk investoi për të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve. Mësuesit, nxënësit dhe prindërit e tyre meritojnë një qeveri që punon për ta”,- mbylli deklaratën Vokshi. ///
ME SHUME LAJME
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.