Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ndodhet në qytetin e Koplikut, ku u prit nga qytetarët të cilët i falënderoi për mbështetjen që po i japin ndryshimit.
“Në këto 30 vite vendi ynë është përballur me sfida të mëdha. Shpeshherë politika i ka ndarë njerëzit dhe zgjedhjet kanë qenë ato që kanë përcaktuar të ardhmen afatshkurtër dhe afatgjate. Por kurrë më parë nuk kanë qenë shqiptarët kaq të bashkuar si sot. Një njeri i vetëm që ka 8 vite që e mban peng vendin, një njeri që i ka shndërruar bukuritë e mahnitshme të Malësisë së Madhe, të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë pasuri private për veten e vet dhe një grusht njerëzish. Një njeri që e bëri politikën fjalë të pisët sepse erdhi me premtime të mëdha dhe me paturpësinë më të madhe i braktisi ata”, theksoi Basha.
“Kjo do të mbahet mend si fushata e parë, dhe zotohem e fundit, kur kryeministri u kthye në satelit të kryeministrit të ardhshëm. Për t’u thënë të gjithë banorëve të Malësisë së Madhe, Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë se nuk iu shpjegon dot pensionistëve pse i gënjeu këto 8 vite. Në vend që t’i rriste pensionet siç premtoi, i la në mëshirë të fatit. Nuk u shpjegon dot. Nuk ka asnjë fjalë për t’u shpjeguar studentëve të cilët i degdisi në sistemin më të falimentuar universitar, me ligjin më primitiv të arsimit të lartë dhe me zero mbështetje financiare”, u shpreh ai.
“Nuk ka si të dalë përpara fermerëve të cilëve u premtoi mrekullira, por u hoqi edhe subvencionet që merrnin dhe ndërkohë i zhyti në varfëri me çmimet më të larta të naftës dhe të energjisë dhe duke i mbytur me prodhime importi që mbushin xhepat e tij dhe të klientëve të tij. Nuk del dot para çifteve të reja, para të papunëve, para biznesit të vogël, para fasonëve, para minatorëve dhe naftëtarëve, para punonjësve të turizmit sepse ka dështuar në çdo fushë. Koha e tij ka mbaruar dhe sot e di Malësia e Madhe, e di Shkodra, e di gjithë Shqipëria. Me përgjegjësinë dhe votën tuaj një ditë e re lind për shqiptarët dhe Shqipërinë”, tha Basha.
“Ndryshimi ka ardhur, e prek kudo ku shkoj, ja kështu siç jeni mbledhur vajza, gra, zonja, motra, djem , baballarë, gjyshër, pensionist, këtu në qendër të Koplikut. Kështu po mblidhen shqiptarët kudo sepse vendimi është marrë dhe më 25 prill i vënë vulën! Ndryshimi do të vij me votën tuaj! Ju lutem mbani maskat, mbani largësinë, se deri tani kemi vetëm Zotin dhe fatin tonë, pas 25 prillit do kemi dhe qeverinë që do të bëjë gjithçka për të shporrur pandeminë pasi të jetë larguar pandeminë 8 vjeçare”, u shpreh Basha. ///
ME SHUME LAJME
“The Telegraph”: Shqipëria mes 10 vendeve më mikpritëse për turistët
Mot i kthjellët, vranësira kalimtare në relievet malore
Rritja e çmimeve të karburanteve, Mitsotakis shpall paketën 300 milionë euro me masa lehtësuese