Në aplikacionin e “Komisariatit Digjital” është shtuar një rubrike e re për të denoncuar lloje të ndryshme të krimeve mjedisore.
Gjatë një takimi të ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro me drejtues të Policisë së Shtetit dhe IKMT, Çuçi tha se nga 1 shtatori 2021 e deri sot, janë mbi 40,000 denoncime e ndër to, plotë 276 lidhen me krimet mjedisore.
“Ky numër dëshmon për vlefshmërinë dhe efikasitetin e këtij inovacioni tepër të rëndësishëm e pioner në vendin tonë e rajon. Për të orientuar më mirë publikun, ne kemi shtuar 5 rubrika specifike në menynë përkatëse për mjedisin. Në butonin “Krimi Mjedisor” të gjithë përdoruesit e aplikacionit do të mund të gjejnë të renditura llojet e krimit mjedisor si: ndotje uji; ndotje e tokës; depozitim i paligjshëm mbetjesh; ndotje me inerte dhe ndotje akustike”, u shpreh ministri Çuçi.
Sipas ministrit ky ndryshim do të krijojë lehtësitë e duhura për publikun, si një kanal i ri nga ku mund të denonconi krimin mjedisor, edhe nga kushtet e anonimatit të plotë.
“Besojmë se siguria publike nuk është detyrë vetëm e Policisë së Shtetit apo agjencive përkatëse të ligjit, por një përpjekje e përbashkët e të gjithë shoqërisë, për t’u mbyllur çdo hapësirë individëve të papërgjegjshëm apo me tendenca kriminale.“Komisariati Digjital”, me ndryshimet dhe përditësimet e bëra, është një mjet tejet i fuqishëm në duart e publikut, për të denoncuar çdo krim në mjedis, kundër mjedisit, në fund të fundit, kundër jetës sonë si qytetarë të këtij vendi”, deklaroi Ministri i Brendshëm.
Shqipëria pritet të hyjë në një fazë të re përsa i përket kontrollit të territorit. Modernizimi i Policisë së Shtetit me investime në teknologji, përdorimi i droneve super-inteligjentë dhe shërbimi satelitor, pritet të rrisin në mënyrë cilësore efikasitetin e punës për të parandaluar krimet mjedisore, ndërtimet pa leje dhe çdo paligjshmëri tjetër në territor.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi se, “e kemi deklaruar që në ditën e parë të mandatit të tretë të kësaj qeverie, mjedisin e kemi prioritet absolut”.
“E kemi diskutuar mjedisin si një gjë të dobishme, por jemi ende larg së konsideruari situatën e mjedisit si një emergjencë jetike”, tha ajo.
“Ne kemi sot përgjegjësinë të marrim përsipër, duam s’duam, prandaj jemi votuar për të tretën herë, mendësitë e gabuara të së kaluarës, sjelljet kriminale mjedisore të sotme. por sidomos, e mbi të gjitha, ne kemi marrë përsipër t’i hapim rrugë njëherë e përgjithmonë, mbarëvajtjes së shëndetit dhe jetës së fëmijëve tanë”, tha Kumbaro.
“Kjo kërkon nga ne disa gjëra, në radhë të parë kërkon edukim të shoqërisë, dhe për këtë kemi nisur përgatitjen e një programi, në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit, për të filluar mbledhjen dhe riciklimin e letrës dhe të plastikës nëpër shkolla dhe në bashkëpunim me shoqatën e ricikluesve në shkolla dhe universitete. Po rishikojmë kurrikulat, për të përforcuar dhe për t’i dhënë rëndësinë e duhur edukimit mjedisor të të rinjve. Por nuk mjafton. Edhe të gjithë paketës promovuese dhe të komunikimit për të bërë propagandën e nevojshme për të gjithë grupmoshat”, u shpreh Kumbaro.
Së dyti, shtoi Kumbaro, “kemi nevojë të përforcojmë atë që me ligj e kemi, menaxhim të integruar të mbetjeve dhe për këtë, jo vetëm jemi që në ditën e parë në zbatim të Planit të Pastrimit Kombëtar në monitorim të punës së bashkive , të cilët në fakt e kanë detyrë parësore këtë punë, pastrimin e territorit. jemi në bashkëpunim të ngushtë me to. por edhe duke krijuar, për të parën herë në buxhetin e vitit 2022, instrumente të posaçëm financiar për t’i mbështetur në këto aksione”.
“Së treti, kemi nevojë për zbatim të ligjit dhe rishikim të tij, duke filluar që nga propozimi që kemi depozituar tashmë në Kuvend për të ndaluar përdorimin, importimin, tregtimin e qeseve të vogla plastike, që sot janë jo vetëm një ndër faktorët ndotës në mjedis, po janë edhe turpi ynë në pellgun e Adriatikut. Sepse çka ne hedhim në tokë shkon në lumenj. Çka ne hedhim në lumë shkon në det dhe u troket në derë fqinjëve tanë që nuk na e kanë për borxh dhe kjo na e nxin faqen në të gjitha sondazhet ndërkombëtare në rajon”, tha Kumbaro.
“E katërta, na duhet ndëshkim. Kjo është arsyeja pse jemi sot këtu. Na duhet të pranojmë që s’e kemi kuptuar, apo s’e kemi menduar, apo s’e kemi zbatuar gjithë këtë paketë ligjore, në masën e duhur, në nivelin e emergjencës që na dikton sot situata në mjedis. Sepse duhet në fakt të fillojmë të ndëshkojmë veten tonë. Sepse secili nga pak, nuk do të hezitoj të përdor fjalën e rëndë kriminelë, jemi secili nga pak për mënyrën sesi jemi sjellë në gjithë këto dekada me mjedisin”, përfundoi Kumbaro.///
ME SHUME LAJME
MEMORIE. Sot kujtojmë Prof. Moikom Zeqon, intektualin e rrallë.
Media italiane “TgYou24”: Mes plazheve dhe trashëgimisë kulturore, Shqipëria në krye të tendencave turistike
Himara mes destinacioneve më të kërkuara nga britanikët për verën e 2026-ës