Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, duhet të gjehet një president normal për vendin, pasi Meta është më anormali në gjithë galerinë e anormaliteteve që ka pasur vendi.
I pyetur në një intervistë televizive për presidentin e ri, Rama u shpreh se, “kemi një president anormal”.
“Kemi Presidentin më anormal, në gjithë galerinë e anormaliteteve që kemi pasur. U bë një kohë shumë e gjatë, që kur kemi pasur të fundit president normal. Po ky është anormaliteti vetë aty. Patjetër që gjëja që na duhet, na duhet një njeri normal. Një President normal”, u shpreh Rama.
I pyetur nëse mund ta propozojë Basha presidentin e ri, Rama tha se, “po pse do blindojmë edhe derën Presidencës ne tani? Është çështje legjitimiteti politik. Është njësoj si të shkosh të flasësh me Kujtim Gjuzin. Edhe Kujtim Gjuzi nuk ishte non grata”.
I pyetur nëse do të ketë president konsensual, Rama u shpreh se, “do të shikojmë dinamikën se ka dhe disa muaj”.
“Do shikojmë çfarë do të ndodhë në dinamikë me këto gratat, non gratat. Do shikojmë çfarë forme do marrë aty në parlament kjo ndarje. Se nuk them që do bashkohen, por çfarë forme do marrë kjo ndarje. Do shikojmë sa hapësirë ka për të folur me njërin e me tjetrin. Kuptohet që nuk bëhet fjalë për asnjë komunikim me non gratën. Njëri apo tjetri janë deputetë, janë njerëz, janë grupe atje, ka njerëz, ka deputetë”, tha Rama.
I pyetur përse do kërkonte konsensus në momentin që i ka 71 deputetë, Rama u shpreh se “për të pasur një komunikim, dialog, dhe për të parë sesi mund të dalim me një kandidaturë, e cila të jetë një kandidaturë që të shkojë përtej PS-së. Se për të zgjedhur një kandidaturë që është e PS-së, ne djegim ato raundet siç po bëjnë italianët atje. Djegim ato raundet, vëmë Kujtim Gjuzin aty, pastaj dalim tek Presidenti”.
“Është e vërtetë që Presidentin e kam votuar unë, e ka votuar çdo deputet i PS, por është po kaq e vërtetë që ne nuk i kishim votat për ta zgjedhur Presidentin. Dhe ne o do zgjidhnim një President të opozitës, se e kam thënë që atë ditë, nuk e them sot. Dhe kjo është një nga gjërat që mund të quhet parashikim. Po nuk ka qenë parashikim, ka qenë qartësi mbi faktet. Ose do të zgjidhnim një President të opozitës në atë parlament dhe ishte, e kishim aty të rënë nga qielli opozitar Ilir Metën, i cili kishte votat, ose do të hynim në një proces me shumë të panjohura për të ardhur në po ato histori. Kështu që më mirë preferuam këtë, sesa të hynim në një proces me të panjohura, që nuk do ta zgjidhnim dot Presidentin. Mos harroni që opozita atëherë grata, non grata ishin të dyja pjesët bashkë, ishin jashtë”, tha Rama.
“Ilir Meta nuk ishte i mirë as për opozitën, as për ne, as për veten e tij, as për partinë e tij, për asnjë. Dhe i keqi më i madh i vetes së tij, është vetë Ilir Meta”, theksoi Rama///
ME SHUME LAJME
Parku Kombëtar i Butrintit: Program i integruar investimesh dhe ndërhyrjesh
Taskforcë për menaxhimin e mbetjeve në zonat turistike
Himarë.Djali mbyll prindërit në shtëpi, kërcënon se do i vrasë, Policia në vendngjarje, 35 vjeçari i ngul thikën vetes…