Ministrja e Kulturës, Elva Margariti solli sot në vëmendje, në kuadër të “Muajit të Kujtesës”, përkthyesin Gjon Shllaku.-vuri ne dukje agjencia zyrtare e lajmeve ATSH.
“Mirënjohje për përkthyesin Gjon Shllaku, që na dhuroi në shqip klasikët e mëdhenj”, u shpreh Margariti.
Gjon Shllaku lindi më 24 mars 1923 dhe ishte më i madhi i brezit të dytë të Shllakëve në Shkodër. Në moshën 12-vjeçare filloi mësimet në seminarin papnor të drejtuar nga etërit jezuitë.
Në vitin 1945 Gjon Shllaku ishte veprimtar i organizatës antikomuniste: “Bashkimi shqiptar”, në vitin 1946 aktiviteti i tij ra në sy dhe ai dënohet me 101 vjet heqje lirie.
Një ndër mjeshtrat e këtij zanati, përktheu pjesë nga “De rerum natura” e Lukrecit dhe nga “Eneida” e Virgjilit kur ishte ende në Seminar. Në moshën 16-vjeçare përktheu të plotë “Gjeorgjikat” e Virgjilit. 17 vjeç përkthen Ben Hur-in e Lju Uallasit, përktheu tekste biblike nga greqishtja e vjetër, “Punët e Apostujve” dhe “Apokalipsi”.
Në vitin 1965 shqipëron “Iliadën” në standardin e atëhershëm, më pas u ribotua më 1979 në standardin e paskongresit 1972. Më 1995 boton shqipërimin e shtatë tragjedive të Sofokliut – përkthim që në kohë të regjimit nuk iu pranua nga Akademia, me “Kangët e Rolandit” dhe “Le Cid” të Kornejit. Dy muaj përpara vdekjes mbaroi hartimin e “Fjalorit latinisht-shqip” të nisur prej shumë vitesh me afërsisht 65.000 fjalë.
Ka shkruar po ashtu edhe vepra të vetat, si dramat “Dy Lekët”, “Judita dhe Holoferni” dhe “Skënderi e Zulejka”. Gjatë qëndrimit në burgun e Burrelit, nisi më 1950 shkrimin e dramës “Skënderi dhe Zulejka”, që e përfundoi në aeroportin e Urës Vajgurore, Berat.
Më 25 dhjetor të 1995 i jepet titulli “Profesor” nga komisioni i kualifikimit shkencor, muaj kur dekorohet po ashtu me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”. Në prill të 2003 i akordohet urdhri “Mjeshtër i Madh” dhe nga Këshilli bashkiak i Shkodrës “Qytetar nderi i Shkodrës”./
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI