SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

 Festën e 1 majit diktatura e përdorte për të reklamuar “arritjet” e partisë-shtet

Në kuadër të kurimit të së shkuarës, Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” sjell në kujtesë sesi manifestimi dhe protesta për lehtësimin e kushteve të punës së punëtorëve u kthye në një festë ku Partia-Shtet reklamonte “zhvillimin e madh që kishte vendi”.

Në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet e tjera komuniste, 1 Maji ose “Dita e klasës punëtore” konsiderohej si një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Me rastin e saj organizoheshin aktivitete dhe manifestime në të gjithë vendin. Një manifestim i madh zhvillohej në sheshin “Skënderbej” të kryeqytetit, ndërsa në tribunën kryesore të vendosur para godinës së Kuvendit Popullor dilte udhëheqja e PPSH për të përshëndetur klasën punëtore. Paradat që organizoheshin në formën e kuadrateve (kuadratet e nxënësve të shkollave, kuadratet e studentëve, kuadratet e klasës punëtore nga ndërmarrje të ndryshme të vendit, kuadratet ushtarake), përshëndesnin udhëheqësit e lartë të Partisë.

Kjo festë shfrytëzohej për të treguar se Partia dhe udhëheqësi i saj ishin të pagabueshëm dhe po e udhëhiqnin vendin drejt lulëzimit ekonomik. Pasditja shoqërohej me aktivitete festive nëpër shkolla, në kooperativa apo në ndërmarrje të ndryshme ku shpalleshin edhe punonjësit e dalluar të vitit.

Edhe një herë, me këtë rast, klika e kohës gjente rast të reklamonte arritjet dhe madhështinë e “Partisë së Punës së Shqipërisë me në krye Enver Hoxhën”. Festa e 1 Majit, nga një festë me origjinë manifestimin dhe protestën për lehtësimin e kushteve të punës së punëtorëve, u kthye në një festë ku Partia-Shtet reklamonte “zhvillimin e madh që kishte vendi”.///

error: