Nga Thoma NIKA
Guro Zeneli ishte një penë e zgjuar, e shkathët dhe që nuk i kthehej një shkrimi dy herë. Sa mbaronte një shkrim së hedhuri në letër, në mendje kishte temën tjetër.

Gurua ishte nga ata që nuk gjente rehat as me veten. Ishte “ngjarje”, kur atij do t’i pëlqente një reportazh, një analizë, një vëzhgim, një fejton, edhe nga ato që mbanin emrin e tij e jo më, tonat.
Por i pranonte dhe i jepte për botim, pa pretenduar përsosmërinë. Se Guro ishte me idenë që gazeta ishte për konsum ditor, pas saj vinte tjetra, tjetra, ku e ke mundësinë të përsosesh dhe të tregosh veten. Por dinte mirë të bënte dallimin mes asaj që ishte shkruar me dashuri, me ngjyra e me njohje të thelluar të realitetit, dhe asaj që shkruhej për të qenë në rregull me planin e numrit, apo për të “mbyllur” gazetën.
Kur unë nisa punë në gazetën e Sarandës, kolegët thoshnin: “Kishim një Guro, na u bënë dy”.

Jo në kuptim të ngjashmërisë në penë (se ai ishte i pakapshëm e i pangjashëm), por në kuptim të nxitimit në ecje, të dëshirës për t’i dhënë ritëm ditës, aq sa nuk kapeshim dot.
Gurua kishte edhe cilësinë e masovikut, populistit. Niseshim për diku me të në krah dhe do të na duhej ta prisnim nja dhjetë herë po, në një gjysëm kilometri rrugë. Nuk ndahej, por edhe nuk i ndaheshin njerëzit. Ai i njihte dhe u fliste emër për emër, ndalej, i pyeste për punët e hallet.
Ne e kishim koleg, epror dhe shok. E kishim mësues, por ai gjithnjë bënte nxënësin.
I thoshnim “Guro vëllai”, jo vetëm për afërsinë që të krijonte. Vinte kjo edhe si një nofkë nga bisedat që bënte me këdo, se kujtdo i thoshte: “E di vëllai”, “Do merret vëllai me këtë punën tënde”.
Dhe fjalën e kishte për veten. Guro kishte emrin, por nuk ishte as i gurtë e as i ngurtë. Përkundrazi, ishte shumë i ndjeshëm e i gjindshëm. Dhe ku thoshte fjalën, i zinte vend si gur qosheje.
Aaa, edhe ngjante me gurin: I ranë e nuk u thye. Në raportet me eprorët lokalë i druhej lëvdatave dhe përkëdhelive të tyre, se mos po i hynte vetja ne qejf dhe fillonte të bëhej nga i dobishëm, i rrezikshëm e keqbërës, si shumë nga ata. Këtë merak na e shprehte shpesh, duke na kërkuar t’ia thoshnim, nëse fillonte të na dukej me ndonjë deformim.
Edhe tani, që Gurua nuk është më në jetë, ai është në mikrokozmosin e sarandiotëve e sidomos tonin, që
e patëm fat punën me të, në gazetën lokale./sarandanews.al///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade