Ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavushoglu deklaroi sot se, Turqia e sheh nismën e “Ballkanit të Hapur” si një urë midis Ballkanit dhe BE-së. Në fjalën e tij në Samitin e “Ballkani të Hapur”, që po mbahet në Beograd, Çavushoglu u shpreh se, “përgjatë historisë Ballkani ka qenë i hapur ndaj ndikimeve të ndryshme për shkak të gjeografisë së vet. ne përherë kemi përmendur rëndësinë e politikave vetjake të Ballkanit. Në fakt është vërtetë koha që të marrim fatin tonë në duart tona”.
“Nisma e “Ballkanit të Hapur” kërkon një qasje të lirë në tregun e punës dhe kjo është posaçërisht premtuese. Kjo është ajo çka diskutuam sot në mëngjes edhe me kryeministrin Abazoviç, shkëmbimi i studentëve, projektet e përbashkëta studimore kërkimore. Gjithashtu dhe njohja e kualifikimeve akademike do të vazhdojnë ta mbajnë të kualifikuar rininë në Ballkan e në rajon. Dhe shpresojmë që kjo do të trajtojë dhe problemin e rrjedhjes së trurit me të cilin përballet Ballkani”, tha Cavushoglu.
“Si një prej investuesve më të mëdhenj në rajon besoj se këto do të inkurajojnë po kështu dhe investimet e huaja të drejtpërdrejta”, theksoi Cavushoglu. “Lufta në Evropë është një thirrje për t’u zgjuar. Shohim sesa të cenueshëm jemi. Dimri po vjen. Siguria ushqimore dhe e energjisë janë shndërruar në sfida të përbashkëta dhe nuk ka recetë tjetër përveç solidaritetit. Si Turqi ne vazhdojmë të bëjmë më të mirën tonë për zbatimin pa pengesa të marrëveshjes së Stambollit. Gjithashtu ne jemi përpjekur që të ndihmojmë fqinjët tanë në Ballkanit për të siguruar nevojat e tyre për gaz gjatë dimrit. Lufta ka rikonfirmuar rëndësinë e investimeve të përbashkëta në energjitë e ripërtërishme dhe integrimin e tregjeve të energjisë elektrike dhe të gazit”, u shpreh Çavushoglu.
“E shohim nismën e “Ballkanit të hapur” si një urë midis Ballkanit dhe BE-së. në të shkuarën zgjerimi ishte midis politikave më të suksesshme të BE-së, por BE-ja është kthyer me vështrimin së brendshmi dhe natyrisht interesat e brendshme politike kanë marrë peng agjendën e zgjerimit. Asnjëri nuk mund të ofrojë një shpjegim të mirë se pse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria pritën kaq shumë gjatë. Sigurisht ne i përgëzojmë të dyja për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Është dramatike që një luftë në Evropë i kujtoi të gjithë për rëndësinë e zgjerimit. Unë shpresoj që përvoja e tyre do të jetë ndryshe nga përvoja jonë. As nuk dua të flas sesi anëtarësimi i Turqisë është politizuar nga interesa të ngushta”, tha Çavushoglu.
“Shpresojmë që nisma e “Ballkanit të Hapur” të përshpejtojë integrimin evropian të rajonit dhe shpresojmë që më shumë vende do t’i bashkohen nismës së “Ballkanit të Hapur”, shtoi Çavushoglu.
“Lidhur me dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. marrëveshja për dokumentet, kartat e identitetit tregon, vërteton që duhet të përqendroheni në interesat e përbashkëta në vend të dallimeve. Turqia ka komunikim të hapur me të dyja palët dhe ne do të vazhdojmë të nxisim dialogun për të arritur një marrëveshje për targat dhe për çështjet e tjera që mbeten”, tha Çavushoglu.
“Disa mund të mendojnë që Turqia është një aktor i jashtëm apo larg, por kjo është krejt e gabuar sepse ne jemi Ballkan dhe jemi krenar për këtë. Ne hedhim poshtë ndarjet artificiale në Ballkanin më të gjerë, si perëndim apo si lindje. Na duhet që të zgjidhim problemet tona dhe të mos u shërbejmë interesave të të tjerëve”, theksoi Çavushoglu.
“Ballkani duhet të marrë në kontroll fatin e tij dhe duhet t’i heqë të gjitha barrierat për t’u rritur dhe duhet të zhvillohemi e të prosperojmë së bashku. Si përherë ne do të vazhdojmë të mbështesim çdo përpjekje për mirëqenien e rajonit tonë. Unë i uroj nismës së “Ballkanit të Hapur” çdo sukses”, u shpreh Çavushoglu./atsh///
ME SHUME LAJME
Njësitë elitë të policisë në Shqipëri e Greqi, stërvitje të përbashkët në Tiranë
Mot me kthjellime, shtim gradual i vranësirave pas mesdite
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll