SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Kraja: SPAK, hetime dhe dënime të prokurorëve në detyrë apo të shkarkuar nga Vetingu

Drejtuesi i SPAK-ut, Arben Kraja, deklaroi sot në emisionin “Pa Censurë”, se SPAK ka patur shumë raste hetimesh dhe dënimesh të prokurorëve në detyrë apo të shkarkuar nga komisionet e vetingut.

“Korrupsioni është një sfidë më vete. Hetimi i zyrtarëve të lartë është një sfidë më vete. Ne kemi patur sfidë edhe korrupsionin brenda sistemit. Kemi patur shumë raste hetimesh dhe dënimesh të prokurorëve në detyrë apo të shkarkuar nga komisionet e vetingut, të cilët kanë marrë vendime dënimi të formës së prerë për korrupsion. Nuk janë pak. Kemi patur raste hetimi dhe dënimi të zyrtarëve më të lartë në fushën e prokurimeve publike. Është drejtoria qendrore e Prokurorimeve Publike pranë Ministrisë së Brendshme, e cila është shpallur fajtore për një procedurë prokurimi”, tha Kraja.

I pyetur për deklaratat politike ndaj SPAK, Kraja tha se nuk dëshiron të merret me to. “Nuk dua të merrem me deklarata politike. Ne bëjmë punën tonë, vlerësojmë provat. Dikush na shan, dikush na lëvdon, kjo është çështje e tyre, bëjnë komentet e tyre”, theksoi Kraja.

I pyetur në lidhje me hetimin ndaj ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Kraja u shpreh se, “çështja ndaj ish- presidentit është hapur, si një kallëzim i gazetarëve dhe i një ish- deputeti. Po hetohet dhe po kryhen të gjitha veprimet e nevojshme për të sqaruar çfarë ka ndodhur”.

Kraja, tha gjithashtu se po hetohet edhe në lidhje me ngjarjen e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona.

“Kemi çështje që lidhen me lobingun e partive politike, të cilat po i hetojmë. Në lidhje me Gërdecin, hetimet janë komplekse. Ka vështirësitë e veta, është kohë e gjatë që ka kaluar, por do të sqarojmë të gjitha rrethanat çfarë ka ndodhur brenda mundësive që kemi. Ne po hetojmë ngjarjen. Ish- ministri i Mbrojtjes është me statusin e personit në hetim për shpërdorim detyre, sepse atë status ka pasur, por u pezullua për arsye të imunitetit, ndërkohë pjesën tjetër po e hetojmë dhe nëse do të ketë prova, patjetër që do të ketë dhe akuza për atë që do të provohet”, u shpreh ai.

I ndalur te shpallja non grata nga SHBA e ish-kryeministrit Berisha, Kraja u shpreh se nën hetim janë çështja e Gërdecit dhe ajo e privatizimit të kompleksit “Partizani”.

“Ka çështje për fakte konkrete për të cilat pretendohet se mund të ketë përfshirje edhe ish- kryeministri apo ish- presidenti. Diskutohet çështja e Gërdecit, që po hetohet, është publike dhe diskutohet çështja e privatizimit të kompleksit “Partizani”, që janë përfshirë familjarë të tij. Çështjet janë në hetim dhe unë nuk mund të them asgjë më shumë”, deklaroi ai.

I pyetur nëse këto çështje kanë lidhur me deklaratën e bërë nga DASH, Kraja shtoi se ato janë të qeverisë së SHBA, ndërsa SPAK heton çështjet penale në Shqipëri.

“Ne nuk merremi me deklarata, duhet të më mirëkuptoni. Deklarata janë deklarata politike, janë mbi baza të tjera. Deklaratat janë të qeverisë së SHBA, ndërkohë ne hetojmë çështje penale në Shqipëri dhe nuk kemi dalë në konkluzion as po, as jo në lidhje me ato deklarata”, tha Kraja.///

error: