-Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me bashkinë e Pogradecit, kanë përgatitur një ekspozitë mbi figurën e Dhimitër Paskos, të njohur gjerësisht me emrin e artit si Mitrush Kuteli. Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të përvjetorit të lindjes së themeluesit të prozës moderne shqipe. Publiku do të ketë mundësinë të marrë pjesë në prezantimin e dokumenteve arkivore që hedhin dritë mbi veprimtarinë letrare të Paskos, si edhe mbi profilin e tij në rolin e ekonomistit dhe të bankierit.

Mes materialeve të përzgjedhura për ekspozim, të cilat janë pjesë e pasurisë dokumentare të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), gjenden: krijimet “Balta Shqipëtare”, “Natë vjeshte” (dhjetor 1944), “Kënga e biçikletës” (shkurt 1944), “Do desha të vdes” (mars 1946) etj.
Gjithashtu publiku do të mund të shohë publikimet në faqet e Revistës Letrare, siç janë: “I vdekuri dhe i gjalli” (shkurt 1944), “Poemi i Shëndaumit” (maj 1944), “I pasuri që ish i varfër fort” (korrik 1944).
Ekspozita përmban edhe kartolina që Mitrush Kuteli i dërgonte Lasgush Poradecit, analiza të veprës së poetit “Ylli i zemrës”, botuar në kujdesin e Kutelit si dhe dokumente me anë të të cilave Kuteli kërkonte rehabilitimin e figurës së tij: kërkesë e Kutelit drejtuar kryeministrit Mehmet Shehu për leje krijimtarie dhe letra e Shehut drejtuar ministrit të Arsimit dhe të Kulturës, Manush Myftiu, për akordimin e lejes së kërkuar.
Një tjetër material i AQSH është emërimi i Paskos si konsulent teknik prej Komitetit Ekzekutiv të Bankës Kombëtare; analiza ekonomike e Paskos mbi çmimet në Shqipëri dhe pasuritë natyrore të Kosovës të shfrytëzuara nga italianët.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI