– Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi sot para anëtarëve të Këshillit Kombëtar se termin rithemelim duhet ta lexojmë dhe kuptojmë si një detyrim madhor i çdo demokrati dhe demokrateje për të bërë gjithçka që forca jonë politike t’u paraqitet shqiptarëve mbi parimet e saj të vërteta si një forcë e rithemeluar. Në fjalën e tij, në Këshillin Kombëtar të PD-së Berisha tha se sot shënojmë një hap të madh si forcë politike e rithemeluar.
“Kjo është një mbledhje jashtëzakonisht e rëndësishme për faktin se ne miratojmë sot këtu, rregullat në përputhje me statutin e PD-së, të zhvillimit të primareve për zgjedhjet vendore dhe disa prej tyre janë të njëjta për zgjedhjet e deputetëve. Ne sot, në përputhje me vendimet statusore, shënojmë një hap të madh si forcë politike e rithemeluar”, tha ai.
Ai tha se detyra jonë më kryesore është të fitojmë mendjen e zemrat e qytetarëve shqiptarë.
“Ashtu siç ishim, nuk i fitonim, përkundrazi. Pra, kërkohet një ndryshim i madh. Proces në të cilin ne jemi sot, në mënyrë që të paraqitemi, të tregojmë vitalitetin tonë, për t’u paraqitur si një forcë vërtet e ndryshuar, si një forcë politike, e cila qëndron totalisht e përkushtuar ndaj lirisë dhe vlerave të saj për qytetarin shqiptar. Si një forcë politike, e cila del me shpejtësi dhe përfundimisht nga apatia tetëvjeçare e saj”, theksoi ai.
Berisha theksoi se, PD është larg asaj që duhet të jetë dhe është urgjente ndryshimi i situatës.
“Thelbi i PD-së para të gjithash është si të funksionojnë qelizat tona, njësitë tona, ashtu do funksionojë në thelb partia. Vjen një moment që nuk ka më konferenca shtypi, nuk ka takime me duartrokitje, ai moment është më vendimtari, ai është votimi, ai është prova e përgjithshme. Ajo betejë zhvillohet mes seksioneve. Jemi larg. Unë duhet të jemi realist me ju. Unë kam marrë gjithë kohës informacione dhe ju garantoj se është urgjente ndryshimi i situatës. Askush të mos mendojë se mund të fitohet vetëm me makro-aktivitete. Nuk fitohet. Ato janë të domosdoshme. Por pa kombinimin e aktiviteteve të tjera në nivel seksioni, në nivel hyrje,blloku, në çdo skaj, ne në këto kushte fitore nuk shohim. Në vetëm rrimë duke shprehur habi për veprimet e një njeriu që vjedh përditë qytetarët dhe tallet me ta. Çdo ditë që kalon jemi të vonuar në përballjen me të”, tha ai.
Gjithashtu Berisha tha se ne do zbatojmë statutin si kushti i kushteve për të qenë nesër garanci e zbatimit të shtetit ligjor.
“Statuti ynë është statuti që ndryshon PD-në. E paraqet atë si një forcë tjetër politike para shqiptarëve. Prandaj ngado që sillemi, ne kemi vetëm një alternativë, të zbatojmë statutin e votuar nga Kuvendi i PD. Ky është një kusht themelor. Statuti është Kushtetuta për të mos ndryshuar rrugën dhe për të mos u kthyer siç kemi qenë. Ne do i lëmë pushtetin anëtarit të PD dhe ky është përcaktimi i statutit tonë. Ne do zbatojmë statutin si kushti i kushteve për të qenë nesër garanci i zbatimit të shtetit ligjor. Për të mos u thënë shqiptarëve se kullat nuk i shoh me sy, por do i shoh më satelit. Prandaj duhet të jemi të hekurt në zbatimin e statutit”, përfundoi ai.///
ME SHUME LAJME
Njësitë elitë të policisë në Shqipëri e Greqi, stërvitje të përbashkët në Tiranë
Mot me kthjellime, shtim gradual i vranësirave pas mesdite
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll