Nga Dritan HILA
Më rezulton që në të gjithë Shqipërinë kanë çelur trëndafilat. Pra kemi një klimë që pakkush e ka në botë. Mbase ne, Greqia, jugu i Italisë, një pjesë e Turqisë dhe Spanjës. Si rrallë ndonjë vend nga këto që thashë, hiq disa pjesë të Greqisë, ka vetëm disa kilometra larg detin nga mali.
Tani, boll me britmat histerike të tipit gjinkallë e zalisur në mes të korrikut për korrupsionin shtetëror (se ky është në gjithë botën), administratën e paaftë (në shumicën e perëndimit administrata i thotë këmbës-dorë), tatimet që të bien në qafë (në Itali e Greqi t’i heqin brekët nga koka), krimin (këtë e kanë shpikur ustallarët ku ne ëndërrojmë të shkojmë), pandershmërinë e qeverisë (ca qeveri të tjera të çojnë të humbasësh kockat në Afganistan, Irak dhe Afrikë), gjyqësorin e korruptuar (në botë gjyqësori të heq skalpin), shtypin që qenka shitur (në perëndim kjo është e deklaruar dhe vetëm torollatët shqiptarë mendojnë që gazetari duhet të jetë steril ideologjikisht), etj, etj, se më të neveritshëm sesa fenomenët që thashë, këtë vend po e bëjnë të padurueshëm histerikët që punë tjetër nuk dinë të bëjnë veçse të pështyjnë.
Ky vend ka probleme me të gjitha sa thashë dhe ca më shumë me të pasurit e rinj shqiptarë që janë ca brekëgrisur që ju ka zënë kacidhja lesh dhe kanë filluar të privatizojnë edhe mizat. Por këta që ankohen gjithë ditës, nëse nuk rrini dot këtu e ta bëni këtë vend, udha e mbarë e të shohim sa do të ecni përpara në atë botën tjetër. Nëse nuk na jepni dot një dorë këtu, provojeni një herë andej se deri ku do të shkoni!(Nga Dritare.net) ///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade