Nga Etleva XHAJANKA
Ligji i ri për Bletarinë vjen si një mbështetje e fortë për zhvillimin e këtij sektori dhe ndihmon bletarët të rrisin konkurrueshmërinë e tyre pasi ka ende potenciale të pashfrytëzuara në bletari dhe eksporte.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca publikoi në rrjete sociale një video informuese mbi rëndësinë e këtij ligji që u shqyrtua dhe miratua së fundi në Komisionin e përhershëm të Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Krifca tha se, “ky ligj i rëndësishëm, vjen pas një pune të madhe dhe angazhimi gjithëpërfshirës me shoqatat e bletërritësve dhe ekspertëve më në zë të fushës. Ligji është në përgjigje të kërkesës së kahershme të komunitetit të bletarëve, por edhe si kërkesë e kohës dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit të bletarisë”.
“Me këtë ligj të ri, ne përcaktojmë rregulla për regjistrimin, transportin, etiketimin, kontrollin dhe eksportin. E mbrojmë racën e bletës tipike autoktone duke mbrojtur mjedisin dhe prodhimin agropyjor, garantojmë sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit, si themel të punës tonë, duke njohur mirë atë se çfarë vjen nga ferma në tryezë”, tha ministrja.
Krifca tha se “ligji i ri krijon stimuj për vendosjen dhe qëndrimin e të rinjve në sektorin e bletarisë dhe siguron mbështetje për bletarët, sidomos për ata që operojnë në zonat e thella. Me këtë projektligj i japim fund monitorimit të species, shtegtimit të tyre të pakontrolluar dhe trajtimit pa kriter të sëmundjeve të tyre me pasoja dhe në humbjen e kolonive të bletëve”. Sipas saj, “bletaria është një sektor që ka shënuar rritje të qëndrueshme dhe vetëm gjatë këtij viti kemi një prodhim prej gati 5 200 tonë mjaltë”.
Krifca shprehu mbështetjen e vazhdueshme dhe të qëndrueshme të qeverisë për bujqësinë, fermerët dhe nxitjen e të rinjve në sipërmarrjet rurale. Në fund të vitit të kaluar u alokua një buxhet shtesë me një fond 160 milionë lekë duke plotësuar të gjithë kërkesën për mbështetje për bletërritësit. Ndërkohë, 3 mijë bletarë u mbështetën me një total financimi prej 310 milionë lekësh, vetëm për vitin 2022.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI