SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Krifca: 5,6 miliardë lekë të ardhura në vit nga eksporti i bimëve mjekësore

Nga Etleva XHAJANKA

Rreth 92 % e prodhimit të bimëve mjekësore aromatike eksportohet, duke përfaqësuar 10 % të vlerës së totalit të eksporteve bujqësore të Shqipërisë me rreth 5,6 miliardë lekë të ardhura në vit.

Shifra u dha nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca gjatë takimit me Kryeministrin Edi Rama e përfaqësues të këtij sektori, duke iu referuar statistikave të vitit 2022, teksa i cilësoi bimët aromatike mjekësore një prej nënsektorëve më të rëndësishëm të bujqësisë shqiptare dhe një prej krenarive “Made in Albania” në nivel ndërkombëtar.

Ministrja tha se, sot ky sektor eksporton 2 herë më shumë bimë mjekësore në vlerë, krahasuar me 10 vite më parë.

“Nuk ka sektor tjetër në bujqësi i cili është i lidhur kaq fort me eksportet sa bimët medicinale dhe sot Shqipëria bën pjesë në grupin e 25 eksportuesve kryesore të BMA-ve në botë. Eksportojmë drejt tregjeve më elitarë të botës ku më shumë se 70 % e eksporteve totale i drejtohet Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe Evropës. Rreth 80 % e sherbelës që eksportohet në SHBA e ka origjinën nga Shqipëria”, tha Krifca.

Ministrja u ndal në potencialin e madh të punësimit që gjeneron ky sektor.

Sipas saj llogaritet se 1 në çdo 5 familje të zonave malore kanë si burim të të ardhurave të tyre vjetore bimët aromatike dhe mjekësore si në kultivim, ashtu edhe në grumbullimin nga natyra.

Gjithashtu theksoi Krifca, zinxhiri i vlerës së bimëve mjekësore dhe aromatike shihet nga ministria me një vëmendje të veçantë, si një mundësi për të shfrytëzuar në mënyrë të qëndrueshme mjedisin, për të forcuar akoma më shumë vlerën e shtuar të këtyre bimëve mjekësore nëpërmjet rritjes së përpunimit brenda vendit, dhe shpërndarjes së kësaj vlere të shtuar në mënyrë më të drejtë të saj midis aktorëve dhe në mënyrë të veçantë të fermerëve.

“Ne kemi mbështetur sektorin BMA-ve, që prej vitit 2013 dhe deri në fund të vitit 2022 duke mbështetur më shumë se 1100 projekte me një sipërfaqe totale mbjelljeje që kanë shtuar sipërfaqen e kultivuar me rreth 2400 ha. Fermerët e zonave të kultivimit kanë përfituar rreth 500 milionë lekë nga kjo mbështetje. Në mënyrë të vazhdueshme kemi synuar rritjen e cilësisë së produkteve të prodhuar për të rritur vlerën e shtuar të produktit nëpërmjet përmirësimit të cilësisë së tij”, deklaroi ministrja.

Krifca tha se janë mbështetur rreth 16 investime në ndërtim pikash të reja grumbullimi, linjash paketimi dhe tharje të produkteve, linja të seleksionimit, objekte për ruajtjen e produktit në kushte të përshtatshme etj.

“Ndërkohë, që investimet të mbështetura në kuadër të programit IPARD II me një vlerë prej 1,5 milionë euro, i kanë dhënë fytyrë të re sektorit të bimëve mjekësore dhe aromatike”, tha ajo.

Ministrja e vlerësoi këtë sektor si të mirorganizuar. “1 në çdo 5 qendra grumbullimi në vend magazinojnë bimë mjekësore dhe aromatike, në mbi 60 pika grumbullimi në të gjithë vendin, i cili sot ka më shumë mekanikë bujqësore në kultivim, më shumë njësi tharjeje etj.”

Ky hop cilësor, vuri në dukje Krifca, ka rritur në mënyrë të ndjeshme sipërfaqet e kultivimit.

“Sot janë rreth 7100 ha në të gjithë Shqipërinë ka arritur nivelin e prodhimit në rreth 16500 tonë për vitin 2022. Ku qarku i Shkodrës kryeson si motor i këtij zhvillimi, dhe në mënyrë të veçantë bashkia e Malësisë së Madhe, me 74 % të sipërfaqes totale të kultivuar. Por ky aktivitet ka mundësi të shtrihet në të gjithë Shqipërinë dhe të gjenerojë më shumë të ardhura për fermerë”, tha ministrja.

Sipas saj, zona të tjera malore me mundësi më të kufizuara në sistemet bujqësore mund të ofrojnë mundësi të reja për rritjen e të ardhurave të tyre, siç mund të jetë zona e Skraparit apo edhe zona të tjera të vendit.

Fokus i politikave të MBZHR, vijoi ministrja, është mbështetja e këtij sektori për një stad të ri zhvillim, i cili nuk duhet të vijë vetëm nga rritja e sipërfaqeve, por edhe rritja e vlerës së shtuar për njësi të sipërfaqes, nga përmirësimi i të ardhurave financiare në të gjithë zinxhirin e vlerës nëpërmjet rritjes së cilësisë gjatë kultivimit të produktit, shërbimeve në rritje, vjelje, shërbimeve pas vjeljes, gjatë tharjes me metodat e përshtatshme, ruatjes, përpunimit me metoda të avancuara që i përgjigjen standardeve që kërkon tregu.

“Ne duhet të rrisim nivelin e mekanikës në sektorin e bimëve mjekësore dhe aromatike. Të dhënat tregojnë se si pasojë e mungesës së njësive tharëse humbim rreth 15 % të vlerës së produktit në vjeljen e verës, dhe rreth 40 % të vlerës në vjeljen e vjeshtës”, u shpreh Krifca gjatë fjalë së saj, teksa shprehu angazhimin për një mbështetje financiare akoma edhe më të madhe posaçërisht për këtë sektor nga programi IPARD III, me vlerë 146 milionë euro, që do të nisë zbatimin brenda vitit 2023.///

error: