Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot intelektualin, publicistin, veprimtarin, ministrin e shtetit shqiptar, Kolë Tromara (15 maj 1885 – 13 prill 1945).
Tromara lindi në Qytezë të Devollit. Mësimet e para i mori në Korçë e më pas në Greqi. Punoi fillimisht si farmacist në Korçë.
Për shkak të përndjekjes nga autoritetet osmane, u detyrua të largohej drejt SHBA, në Boston. Më 1906 ndihmoi Kristo Kirkën në botimin e gazetës, “Kombi”. Më 1907 u caktua sekretar i shoqatës “Besa-Besë” ku kryetar ishte Fan Noli. Më 1915 u emërua sekretar i federatës “Vatra” e më pas kryetar i saj.
Themelues i bandës muzikore të Vatrës. Loboi për çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris më 1919. Në vitin 1920 u kthye në Shqipëri ku themeloi Federatën “Atdheu”, së bashku me Avni Rustemin, Bedri Pejanin, Ahmet Daklin etj.
U zgjodh dy herë si prefekt i Gjirokastrës dhe më pas deputet i prefekturës Korçë më 1923.
Me triumfin e Legalitetit Kolë Tromara u largua nga Shqipëria. Ai u dënua në mungesë me 15 vjet burg për shkak të mbështetjes ndaj Nolit. U kthye në vitin 1939 dhe u bë pjesë e komitetit qendror të Ballit Kombëtar, si një ndër themeluesit. Në vitet 1942-43 shërbeu dhe si prefekt i Korçës.
Dha dorëheqjen si një nga krerët e Ballit Kombëtar dhe u caktua ministër i Kulturës Popullore në qeverinë e Rexhep Mitrovicës gjatë pushtimit nazist. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, u arrestua dhe u dënua me pushkatim më 13 prill 1945 nga Gjyqi Special.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI