SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Gryka e Këlcyrës, parajsa e “një mijë e një burimeve” që tërheq turistë të huaj

Turizmi po merr përmasë edhe në Peshtan, tek Gryka e Këlcyrës, ku turistët kanë nisur të eksplorojnë natyrën e bukur përmes lundrimit me kayak.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Gryka e Këlcyrës, e njohur ndryshe si parajsa e një mijë e një burimeve, që zbresin nga mali i Trebeshinës e derdhen në Vjosë, ku sipas tij, “deri dje nuk shkelte askush, sot po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj”.

Peshtani është pjesë e programit “100 fshatrat” dhe investimet në vepra publike në infrastrukturë e mjedis, paralelisht me ato private, kanë krijuar modelin ekonomik të  integruar agroturistik me impakt në zhvillimit rural.

Banorët kanë nisur t’i kthejnë shtëpitë e tyre në bujtina agroturistike, që janë mjaft të frekuentuara nga vizitorët dhe turistët e huaj, që vijnë për të pushuar dhe eksploruar bukuritë e jashtëzakonshme natyrore të kësaj zone.

Peshtani është 16 km në lindje të Tepelenës, në bregun e majtë të lumit Vjosa, aty kush bashkohet lumi i Zagories me Vjosën. Ai gjendet në qendër të një prej grykave më të mëdha në Ballkan, Gryka e Këlcyrës 13 km, një monument i rrallë natyror.

Kjo grykë ka një formim shkëmbor shumë të veçantë, ku lumi Vjosa pushon midis dy maleve me një gjerësi maksimumi 1 km dhe me burime kristal që derdhen në Vjosë duke krijuar ujëvara me një bukuri të rrallë.

Gryka gjendet mes vargmaleve Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë dhe Shëndëlli-Lunxhëri-Bureto.

Peshtani ka po ashtu një perspektivë të mirë sa i përket përdorimit të Vjosës për turizëm. Duke qenë se Vjosa në Peshtan është në nga pjesët e saj më të bukura, aty ka filluar zhvillohet sporti i kanotazhit dhe për çdo vit shtohen grupet e turistëve që frekuentojnë fshatin për këtë lloj turizmi.

Një tjetër sport i pëlqyer nga vizitorët dhe turistët është ngjitja në mal. Nga Peshtani ekziston një shteg malor që përshkruhet me kalë i cili të fut në Luginën e Zagories dhe del në malin e Çajupit.

Rruga përshkon një territor prej 20 km plot me pyje lisi, bredhi, bliri dhe ujëra pafund, në një zonë tërësisht të paprekur.///

error: