Nga Enver KUSHI
Reportazhin “Guri dhe dega e ullirit” (Mbresa nga Çamëria), e kam shkruar disa javë pasi u ktheva nga një vizitë e shpejtë në Çamëri dhe Spatar, vendlindjen e të parëve të mi. Ishte vizita e parë që bëja në ato vise, ku “Dita është tjetër ditë dhe nata tjetër natë”(Naim Frashëri).

Mbaj mend që të nesërmen pasi u ktheva në Tiranë, shkova në Rrogozhinë, në shtëpinë e prindërve të mi. Në një qese kisha një gur, një degë ulliri dhe disa kaseta me këngë popullore të Epirit, që i bleva në qytetin e bukur të Gumenicës. Këto ishin të vetmet dhurata për babain dhe nënën time.
Sapo hyra në kuzhinë përqafova prindërit dhe para se të ulesha, nxora nga qesja gurin, degën e ullirit, gjethet e të cilit ruanin akoma freskinë. Pastaj gurin ja dhashë babait, ndërsa degën e ullirit nënës. Isha në Spatar, thashë. Edhe gurin, edhe degën e ullirit i mora atje për ju… Nuk do ta harroj kurrë atë moment: në fillim shtangien, vështrimet e tyre të habitura, sikur po zgjoheshin nga një gjumë i gjatë. Shumë i gjatë. Babai e puthi gurin. E puthi disa herë dhe u përlot. Ai ishte një burrë i fortë dhe kurrë nuk kisha parë lot në sytë e tij . Kurrë. Ndërsa lotët e nënës i njihja. Edhe nëna e puthi gurin dhe ja ktheu prapë babait, që nuk ngopej duke e parë. Nëna i mori erë degës së ullirit… Ata kishin 45 vite pa e parë Spatarin, vendlindjen e tyre. U kisha sjellë nga larg, qindra kilometra nga larg aromat e fëmijërisë dhe rinisë.
Babai ndërroi jetë në mesgushtin e vitit 2000, ndërsa nëna në fundprillin e vitit 2017. Varret e tyre janë pranë e pranë, në një kodër të bukur të Rrogozhinës dhe që andej duket qyteti i vogël, fusha, lumi Shkumbin, ujrat e të cilit qetësisht dhe si me përtim shkojnë në grykëderdhjen e tij , në Adriatik. Në kokat e vendprehjeve të tyre, kam vënë dy gurë të vegjël të marra nga vendlindja, Spatari. Gurin që mora në gushtin e vitit 1990, e kam vendosur në një kornizë qarkuar nga zinxhiri i orës së xhepit të babait, akrepat e së cilës kanë mbetur në katër pa pesë minuta, çastin kur ai dha shpirt.
Të gjitha këto ua sjell lexuesve të shumtë të “Ex Libris” me reportazhin “Guri dhe dega e ullirit”(Mbresa nga Çamëria), që botohet në kuadrin e 27 qershorit, Ditës së Kujtesës, tragjike Çame. Shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, nuk është e rastit që parathënien e Antologjisë Poetike “Eni vjen pej Çamërie”, hartuar nga Ali Podrimja, e titullon “Dhimbje që nuk ikën”. Gjeniu i letrave shqipe, në këtë parathënie, mes të tjerash shkruan: “Çamëria bën pjesë në hartën më të dhimbshme të Evropës, atë që ka njohur shpërnguljen… Shumica e çamëve, që u shpërngulën mizorisht nga vatrat e veta, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, janë ende gjallë sot. Janë shuar dy ose tre breza, ata që mezi çapiteshin drejt Shqipërisë, por janë gjallë adoleshentët, fëmijët, së fundi, foshnjat, që hynin në shtetin amë nëpër djepe. Të gjithë ata, në një mënyrë ose në një tjetër, mbajnë mend. Asnjë ligj i botës asnjë formim kulturor, nuk mund t’i bëjë njerëzit të mos kenë kujtesë, e aq më pak të mos kenë nostalgji… Është një dhimbje, që nuk ikën ngaqë dikush e shpall të paligjshëm. As duke bërë sikur nuk e di. E aq më pak, kur sillesh pa nderim ndaj saj…”(28 shkurt 2004).
Jorgo Seferis, një nga poetët më të mëdhenj të Greqisë fqinje dhe më të njohurit dhe më të përkthyerit në botë, në poezinë “Kudo që shkoj”(përkthyer nga Ismail Kadare), ka dy vargje të shkëlqyera.
Kudo që shkoj Greqinë me vehte bart
Si një plagosje.
Dhe po t’i perifrazoja këto vargje, unë do të shkruaja:
Kudo që shkoj Çamërinë me vehte bart,
Si një dhimbje./ Tiranë, qershor 2023/Marrë nga VOAL.///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.