SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Shaban Zeneli e la shpirtin në këngë

Nga Arben ILIAZI

“Oh miq, mos e kini frikë jetën”. Këto ishin fjalët që kam dëgjuar pak kohë më parë nga goja e Shaban Zenelit, kur isha për vizitë në shtëpinë e tij në Fier, së bashku me mikun tim Alket Veliu, drejtues i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”. Këto fjalë u pasuan nga një qetësi, por befas kumboi zëri i tij, duke mbështjellë të gjitha vuajtjet dhe trazimet. “Vetëm pasi vuajmë, mësojmë ta duam jetën”, tha, dhe buzët e tij lëshonin ëmbëlsi. “Kam njohur kafshimet që të jep dhembja, por nuk jam përgjëruar apo lutur…Do duroj çdo vuajtje e dhimbje…nuk ka më ngushëlluese se kënga, prandaj, o miq, po këndoj për të thënë që ekzistoj. Fatkeqësi e pandreqshme është vetëm një…të jesh i vdekur”. Dhe bardi filloi të këndonte në një peligrinazh të ethshëm të eposit çam, ku ndihej himni i dhimbjes, por edhe himni për jetën.

Rrallë kam dëgjuar një zë të tillë kaq hyjnor, që i këndonte dhimbjes dhe gëzimit me zë të pastër shpirti.

Sot mora vesh që Shaban Zeneli, bilbili i këngëve të Çamërisë, iku në amshim. Qoftë i shenjtëruar shpirti i artistit të madh!

Brezat do të përkulen me nderim përballë këtij artisti absolutisht të papërsëritshëm, nga një racë e pavdekshme artistësh, me talent të mahnitshëm, që e pasuroi traditën e këngës dhe folklorit çam, nga ata që krijuan kozmogoninë e kulturës çame. Çamëria, me një mit të rrallë muzikor, padyshim do të lindte artistë të tillë.

Shaban Zeneli është një këngëtar kolos, shpikës i një sistemi të veçantë notacioni, që ka magjepsur edhe të huajt. Jo më kot, profesori i njohur dhe etnomuzikologu francez, Bernard Lortat Jacob, një njohës i shkëlqyer i muzikës ballkanike e sidomos asaj çame, në vitin 2005, nuk ngurroi të ftonte në Paris dy nga interpretuesit më të mirë të këngës popullore çame Shaban Zenelin dhe Refat Sulejmanin, koncerti i të cilëve u dha direkt në një nga radiot me në zë evropiane, Radio France. Po ky etnomuzikolog, ka realizuar edhe filmin dokumentar “Këngë të një vendi të munguar”, ku krahas mallit dhe nostalgjisë të çamëve për Çamërinë, jep edhe pasurinë e këngëve dhe valleve çame.

Bernard Lorta Zhakob, duke njohur nga afër këtë kulturë, shkruan: “Në ketë gjendje mërgimi, muzika çame karakterizohet nga një forcë shprehëse shumë e veçantë dhe ushqehet ende edhe sot nga një nostalgji e kudondodhur: ajo kujton mënxyrën e një populli që ka humbur tokat e veta, shtëpitë e veta, kullotat e veta. Ajo flet për dele të humbura, për dashuri të humbura, për jetë të këputura, të një kohe të kaluar mitike dhe të lavdishme”.

Si arriti Shaban Zeneli të bëhet kryemjeshtër i këngës çame, “magister primus” (mjeshtri i parë) i muzikës polifonike, i eposit çam. Nuk kanë rëndësi hollësitë. Rëndësi ka që ai u bë. Po nuk u bë aspak rastësisht. Duke ruajtur të paprekur esencën primordiale të këtij eposi mitologjik, Shabani erdhi i qartë, i dhimbshëm, befasues, me nota elegjiake, malli e dhembjeje, me një trishtim të rëndë, që është e pamundur ta peshosh veçse me zemër. Në këngët e tij erdhi e gjallë tragjedia dhe dhimbja e shkaktuar nga terrori, martirizimi dhe gjenocidi ndaj çamëve. Aty rënkon prej dhimbjes Çamëria.

Sistemi i tij muzikor është një krijim madhështor, i rrallë, një etalon i gjenisë së popullit shqiptar të Çamërisë, një mbijetësë e genit etnik.

Shabani e dinte se kultura çame është vetëdije kombëtare dhe kënga i shërben ruajtjes së identitetit. Ai e pasuroi folklorin shqiptar e veçanërisht atë të krahinës së Çamërisë.

Sh. Zeneli spikati përmes një vokali të ngjeshur e ngjyrë karakteristike dalluese, e personalizuar ngrohtë me interpretimet, duke përthithur përvojën estetike të popullit dhe duke ruajtur të paprekur melodinë burimore.

Ai është ndër ata artistë të mëdhenj hodhën themelet e një tradite artistike, e cila përbën në vetvete një pasuri të çmuar në kulturën shpirtërore të popullit tonë.

Mënyra e këndimit dhe ekzekutimit të këngëve nga këngëtari i mirënjohur, është e natyrës krijuese, tejet të veçantë. Me nota të thella e të përmallshme, me një ritmikë hapërimi historik, me ekzekutim të jashtëzakonshëm, ai arrin ta krijojë një atmosferë malli e pikëllimi, një gjendje reflektimi për dëgjuesin i cili, dashur pa dashur, bëhet pjesë në një pikëllim të tillë, meqë notat specifike tejkalojnë dimensionin e një pikëllimi individual. Këngë si: Unë e dua Çamërinë, Ulu mal te shoh Kastrinë, Salo moj Salushe, Rënikmet e Çamërise, Barbaro Vasiliko, Nënë moj, Dera me buklice, Delvina me Çamërinë, etj. shquhen për një dimension dramaticiteti të pikëllimit, të fatit tragjik kolektiv të shqiptarëve të Çamërisë.

Ai ndjente siç nuk ndjente askush. Gjithçka krenare të Çamërisë e ruajti në shpirt. Dhe e pa këngën si të vetmen rrugë hyjnore që mund ta çonte drejt saj.

Shaban Zeneli iku nga kjo botë, por e la shpirtin në këngë, për të realizuar ringjalljen e vet të patjetërsueshme.///

error: