Nga Prof. Dr. Zamira ÇAVO
Kultura jonë është e varfër e paushqyer me të vërteta, e paushqyer me dije, sepse rrjetet sociale e televizionet i japin hapsira pikërisht kësaj kategorie, pra e “ushqejnë” shoqërinë me opinione duke e mbajtur larg dijes së vërtet
Në kohën e internetit dhe mjeteve të komunikimit masiv hapësira e debatit publik është pushtuar nga injorantët dhe sharlatanët. Dhe njerëzit e kanë më të lehtë të pranojnë idiotësitë e mashtrimin se sa të presin e të kuptojnë e mësojnë të vërtetën.
Nuk besoni? Shikoni sa njerëz “vrapojnë” të blejnë “vajguri me barishte” për t’u shëruar se kështu u rekomandon “mjeku” injorant! Dhe sa të tillë promovohen çdo ditë nga rrjetet sociale apo dhe nga mediat kombëtare!
Kur marangozi e quan veten “mjek” dhe mekaniku politolog, kur një letrar amator e quan veten albanolog dhe flet për historinë, kur një gjeolog e quan veten “gjuhëtarë”, sigurisht që shkenca e ka vështirë të flasë! Jo se nuk ka argumente, por sepse argumentet e shkencës diskutohen dhe debatohen mes shkencëtarëve.
Provoni të bëni një debat profesional me një injorant, apo me një sharlatan dhe do shikoni se është e pamundur, pasi këta njerëz bëjnë gjithçka për të fituar vëmëndje, për t’u quajtur “Intelektualë”! Ata nuk duan debate, ato ngulmojnë se “dinë” shumë më tepër se cilido dhe nëse dikush i kundërshton, i kundërvihen jo me argument, por me fyerje e denigrime personale.
Justin Kruger dhe David Duunig, dy psikologë të njohur në botë, bënë dikur një eksperiment me disa grupe studentësh për të vlerësuar aftësitë e tyre logjike, gramatikore dhe humoristike. Çfarë vunë re? Studentët që shënuan përqindje më të ulëta në testet e gramatikës, humorit dhe logjikës gjithashtu prireshin të mbivlerësonin në mënyrë dramatike nivelin e aftësisë së tyre. Ndërkohë nuk ishin në gjendje të njihnin nivelet e kompetencës së njerëzve të tjerë, gjë që është pjesë e arsyes pse ata e konsideronin veten më të aftë dhe më të ditur se të tjerët.
(Që të mos keqkuptohemi, kur flasim për humor, nuk do të thotë të jesh klloun apo të përdorësh fjalorin në faqen e fundit, ose të shesësh vulgaritetin për humor. Të kesh humor do të thotë të jesh më i pëlqyeshëm në bisedat mes të barabartëve apo miqve, se sa të tjerët).
Dhe njerëzit priren t’u besojnë… Sepse ata kanë zë të lartë, sepse ata duken vetbesues dhe janë mjeshtra të fjalëve pa asnjë kuptim serioz. Dhe meqë jemi këtu tek fjala, më vjen të them se gjuha shqipe nuk ka pse të flitet më e të mësohet. Sepse injoranca dhe sharlatanizmi nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se e bëjnë të padenjë gjuhën shqipe në gojën e tyre!
Dëgjojini si flasin… bla bla bla… tinguj pa kuptim, zhurma akustike me ngritje zëri, por pa përmbajtje. Ata lëshojnë lum fjalësh shqip, por që askush nuk kupton përmbajtjen e tyre, sepse nuk kanë përmbajtje. Gjuha shqipe është ndër gjuhët më të vjetra në botë, është gjuhë e mrekullueshme, por gjuha është guacka e mendimit, kur mendimi është zero gjuha nuk mund të bëjë mrekulli!
Dhe e dini cfarë është me e bukur? E konsiderojnë injorancën e tyre si “mendim ndryshe”! “kam opinionin tim “- thonë! Sigurisht që kjo është e vërtetë, sepse secili në këtë botë ka një opinion për çdo gjë. Madje edhe një i dehur ka opinion për çdo gjë ashtu sikundër edhe një i çmendur ka një opinion, por bota nuk shkon përpara me opinione, shkon me dije, me studime, me shkencë, me argument, që debatohen deri sa i afrohen të vërtetës. Por injorantët dhe sharlatanët nuk e pranojnë këtë. Madje ndjehen të kërcënuar, sepse “mendja e tyre brilante dhe idetë e tyre” po kundërshtohen nga disa të paaftë, që kanë mbetur “komunistë”.
Po si shpjegohet që njerëzit u besojnë këtyre dhe jo shkencës e shkencëtarëve?
Fare thjeshtë: Debati shkencor do kohën e vet për të afirmuar një argument, e njerëzit deri atëherë janë mbushur me opinionet e delirantëve, injorantëve , sharlatanëve, që gjenden me shumicë në rrjete e televizone. Dhe mos u çudisni kur të shikoni të rinj që besojnë se toka është e sheshtë, kur të shikoni prindër që të kenë të ngulitur në kokë se vaksinat janë arma vdekjeprurëse e fëmijëve të tyre, kur të vëreni se njerëzit do besojnë më shumë teoritë “konspiracioniste” sesa të vërtetat shkencore. Dhe përsëri pyes? Pse ndodh kjo? Sepse edhe kultura jonë është e varfër e paushqyer me të vërteta, e paushqyer me dije, sepse rrjetet sociale e televizionet i japin hapsira pikërisht kësaj kategorie, pra e “ushqejnë” shoqërinë me opinione duke e mbajtur larg dijes së vërtetë. Pse e bëjnë? Sepse koha që jetojmë ka vetëm një bosht rreth së cilës vërtitet: paraja! Dhe kush sjell më shumë klikime e më shumë shikime, sigurisht është më i pëlqyeshëm për t’u “shitur” si mendim ndryshe! Justifikimi se “këtë e pëlqen publiku”, po bën gjithnjë e më shumë median të bjerë në nivele vulgare, me humor banal e me emisione degjenerative jo thjesht morale, por edhe humane. Dhe në vend që të realizojë misionin e saj edukues të opinionit publik, po bie nën nivelin mesatar të shoqërisë duke u bërë kështu, me ose pa vetëdije, përhapësja më e denjë e injorancës!
Vetëm dija mund ta shpëtojë shoqërinë nga injoranca e ngritur në kult. Dhe kjo dije duhet përhapur sigurisht në rradhë të parë nga shkolla, por edhe nga media e nga mjetet e komunikimit masiv. Ndaj them me bindje se media duhet të ndryshojë qasjen e saj ndaj shoqërisë, duke i kufizuar hapsirën deri në pamundësi, injorancës. Ndryshe do të jemi të paaftë të ndërtojmë një shoqëri ku inteligjenca artificiale do të ketë zërin e saj të fuqishëm në mjediset tona sociale!///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.