– Deputeti i opozitës, Dashnor Sula në mënyrë simbolike i është bashkuar nga Kuvendi protestës së fermerëve bë Lushnjë lidhur me çmimin e qumështit.
Para nisjes së punimeve të seancës plenare, Sula ka derdhur qumësht në shkallët e Kuvendit në mbështetje të blegtorëve.
Ai tha se “milionat e eurove nuk janë marrë nga blegtorët e fermerët, por nga persona të caktuar që i kanë devijuar fondet në sektorin e ndërtimit. Është situatë e rëndë, në mënyrë simbolike këtë qumështin që është i blegtorëve do ta derdh tek dera e parlamentit për t’i tërhequr vëmendjen kësaj qeverie, Ministrisë së Bujqësisë që të kthejnë sytë nga fshati sepse janë në pikën e hallit”.
Blegtorët dhe prodhuesit e qumështit në Lushnjë zhvilluan të hënën një protestë në rrethrrotullimin e Savrës, ku kërkuan mbështetje për prodhimin shqiptar.
Ata kundërshtojnë uljen me 30 lekë të çmimit të blerjes së qumështit nga kompanitë përpunuese në zonë dhe kërkuan ndërhyrjen e shtetit për zgjidhjen e ngërçit të krijuar.
Shoqata e Blegtorëve Prodhues të Qumështit bëri të ditur të martën se kishte arritur një dakordësi me përpunuesit për çmimin e qumështit dhe vendosjen e një komunikimi mes tyre.
Në një deklaratë për mediet, Shoqata bën të ditur se dakordësia u arrit gjatë takimit të zhvilluar mes palëve, në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ku e pranishme ishte edhe ministrja Anila Denaj.
Ndërsa ministrja Denaj informoi pas këtij takimi se rëndësia e bashkëpunimit bazuar në marrëdhënie kontraktuale afatgjatë për të siguruar një produkt shqiptar cilësor, ndihmon edhe në sigurimin e një pakete mbështetëse si financiare ashtu edhe fiskale.
Ajo ka nënvizuar se për këtë paketë do të bashkëpunohet me blegtorët dhe grupet e interesit gjatë dy muajve në vijim.(Nga Almarina GEGVATAJ) Foto: Florian Abazaj




ME SHUME LAJME
Kulturë. Përkthyesi Vangjel Zafirati boton në Greqi antologjinë me poezi bashkohore shqipe “VARGJET QË VRANË POETIN”
Një karrocë fëmijësh për kryeministrat
Policia masa shtesë për parandalimin e aksidenteve rrugore