U larguan nga vendi në vitin 1991. U kthyen pak vite më parë për të investuar në sektorin e turizmit, duke ndërtuar një hotel në një prej pikave më panoramike të Himarës. Dhe sot, të gjitha dhomat e hotelit janë të prenotuara. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, përmes rrjeteve sociale ka sjellë historinë e Aristidhit nga Himara dhe bashkëshortes së tij, Suelës nga Shkodra, të cilët u kthyen e zgjodhën vendlindjen për t’i dhënë jetë sipërmarrës së tyre.
“Në një prej pikave më panoramike të Himarës, krijuar falë pasionit dhe kursimeve të emigracionit të një himarioti dhe një shkodraneje që së bashku me gjithë familjen presin turistë nga gjithë bota. E ç’të thuash tjetër kur dëgjon se 15 dhomat e këtij hoteli ishin të zëna edhe pse jemi në mes të majit”, shkruan në postimin e saj Kumbaro.
Aristidhi rrëfen se hoteli është një biznes familjar që po jep frytet e tij.
“Kemi ndërtuar këtë biznes familjar. E kemi nisur në vitin 2018 me shumë mundime, unë nusja ime dhe prindërit e mi… Kemi jetuar në Greqi, tani jetojmë këtu. Ne ikëm në vitin 1991 dhe më pas u kthyem këtej pas gati 30 viteve, sepse guri i rëndë në vendin e vet”, tha Aristidhi.
Ai tregoi se bumi turistik që ka njohur vendi, ishte frymëzim për të ndërmarrë këtë investim.
“Pamë ritmin e turizmit, që ishte një ritëm i mirë, e kapëm që në fillim se ritmi ishte në rritje dhe na pëlqeu ideja të investonim në vendin tonë. Morëm paratë e fituara nga emigracioni, erdhëm dhe investuam. Këtu punojmë ne të dy jemi (Aristidhi dhe bashkëshortja Suela), prindërit tanë dhe vajza që vjen kur mbaron shkollën, gjatë pushimeve të verës. Kemi 15 dhoma, që janë të gjitha të zëna”, tha Aristidhi. Ministrja Kumbaro duke bashkëbiseduar me sipërmarrësin, u shpreh se ky është një lajm i mirë.
“Pa filluar sezoni i ke të gjitha dhomat e zëna, jeni fantastikë. Suela dhe Aristidhi janë kthyer në pronat e familjes për të ndërtuar një hotel fantastik. Kanë kombinuar mikpritjen me artin e mendjes së tyre dhe shpirtit të tyre. Ka pamje fantastike mbi det, është vend që ia vlen. Duhet të rezervoni në kohë”, shprehet Kumbaro.(Arbi FORTUZI) ///
ME SHUME LAJME
Kulturë. Përkthyesi Vangjel Zafirati boton në Greqi antologjinë me poezi bashkohore shqipe “VARGJET QË VRANË POETIN”
Një karrocë fëmijësh për kryeministrat
Policia masa shtesë për parandalimin e aksidenteve rrugore