Në Dervican të Dropullit është zhvilluar edicioni i parë i Festivalit të Valleve Tradicionale dhe të Polifonisë në Dropull.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale një video nga ky aktivitet duke theksuar se “traditat e jashtëzakonshme të kostumeve, valleve e riteve janë një pasuri për t’u mbrojtur, trashëguar e zbuluar, edhe për turistët që kanë aq shumë për të shijuar në fshatrat e kësaj krahine”.
“Ky ishte vetëm edicioni i parë i Festivalit të Valleve Tradicionale dhe të Polifonisë në Dropull, me traditat më të bukura të zonës, të cilin do ta kthejmë në një event të përvitshëm”, u shpreh ministri Gonxhja.
Në këtë ngjarje ishte edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila u shpreh se “nuk mund të kishte vend më të bukur se sa ky shesh të cilin e kemi inauguruar së bashku, me miqtë nga Greqia dhe kryeministrin Rama, para disa muajsh, për të festuar një mbrëmje të veçantë të kulturës greke, që përfaqësohet kaq mrekullisht nga minoriteti grek”.
Duke theksuar bashkimin e dy kulturave, asaj e greke e shqiptare, në Dropull, ministrja premtoi mbështetjen edhe të ministrisë që ajo drejton që ky edicion i këtij festivali vallesh e polifonie, të pasohet nga të tjerë.(Edlira Ruzi).///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade
Rregullat për plazhet. Zbardhet kontrata e re, gjoba deri në 400 mijë lekë dhe rastet kur prishet kontrata