SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Shuhet PIRRO NAÇI, por në ‘Panteonin e rralluar’ të mendjeve të shquara të Sarandës, mbetet ikona e një figure diturake poliedrike

Një lajm të trishtë na përcolli sot paradite nga Athina, patrioti ynë, ing. arkitekt, Spiro Kosta.

Është ndarë nga jeta pas një sëmundje të rëndë në emigracion, Pirro NAÇI, studjues dhe gazetar, njeri me një sens e nerv publik aktiv për më të mirën e Sarandës dhe rajonit të saj.

Formimi dhe nervi qytetar i tij shpërfaqet në disa dekada dhe vinte së brendshmi si një mendje e ndritur

Emigrimi ishte për Pirron si për çdo emigrant një sfidë. Por edhe një dritare e madhe oksigjeni dhe vizionesh për vendin e lindjes, Sarandën.

Intelektual modest dhe pasionant, Pirro ndonëse vitet e fundit me një sëmundje të rëndë, të dukej se pas çdo seance të kimioterapisë, bëhej me krahë, më tepër sesa nga mjekimi, nga informacionet dhe imazhet për Sarandën e largët dhe të afërt.

Në qytetin e bukur malor dhe turistik të Karpenisit, Pirro ka lënë gjurmë midis banorëve dhe veçmas intelektualëve. Me aktivizmin e tij dhe idetë për zhvillimin e turizmit.

“Arriti administrator i hotelit me 5 yje ”Montana ”në Karpenis. Atje ftoi dhe priti shume shoke e miq nga Saranda dhe me tej. Besoj se e di që ka punuar në arkeologji ”Butrint”.Pirrua kishte mbaruar histori gjeografi.Shume dashuri kishte per turizmin, pa diskutim siç e di ti me mire dhe për të shkrojtur.-
me shkruan sot pas lajmit të hidhur, për mikun ne tij dhe tonin, Ing.arkitekt i Sarandës që jeton midis Athinës dhe qytetit tonë, Spiro Kosta: “Per historinë, nuk diskutohej pasioni dhe studimet e tij….”

Më vjen tani ndërmend episodi i vizitës sime dy ditore në Karpenisin ” e Pirro Naçit” në dimrin që shkoi….”Më vjen keq që sot dhe nesër që ju jeni atje ne Karpenisë, unë nuk jam aty se kam seancën e radhës të kimios, por po të isha do të thosha: Mos e lerë pa vizituar varrin memorial ku u vra Marko Boçari, as Muzeun e Karpenisit dhe as Hotelin malor “Montana”…Iu kam zili që jeni në Karpenisë, në qytetin tim të dytë, pas Sarandës!……

“Lajm me i trishte i gjithe vitit shkruajnë sot për të, nga vendi fqinj.. “nje intelektual dhe qytetar me ze dhe figure te ndritur qe po udheton drejt parajses!”

Shkurt 1995…-shkruan njl qytetare greke sot. …Kaloj me druajtje nga dera e Hotel “Spa Montana Karpenisi” për të punuar në recepsion. Ndërrimi i parë dhe takoj SHPIRTIN e hotelit…mjeshtrin, ai që njeh këndin e fundit të këtij gjiganti…të gjitha këto bashkë me zemrën e një fëmije të vogël…një qenie njerëzore e jashtëzakonshme me të mahnitshmen, duke luftuar me fjalën e shkruar…Një luftëtar i vërtetë në të gjitha nivelet e jetës së tij…Ky ishte Pirro Naci..Nuk me besohet se po i themi lamtumirë sot…udhëtim të mbarë..Kurajo, e dashura ime, Vojsava-Elisavet Sina -dhe përshëndetje Nikolla,- shkruan sot me dhimbje Christina Primpa-Lois .

Pirro Naçi ishte njeri poliedrik. Ai ishte gazetari i temave të mprehta në disa gazeta në Shqipëri si “Shekulli” etj., duke fokusuar e ballafaquar fakte, qasje e argumenta për aspekte të ndryshme kryesisht të zhvillimit te turizmit në Shqipëri dhe veçmas, në Sarandën e tij të dashur.

Ishte nje sfungjer mikpritës i mjaft figurave intelektuale dhe artistëve të penës e penelit nga Saranda, në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, etj,.

Ai ishte kërkues i palodhur dhe një autor i dhjetara shkrimeve për figura historike dhe artistë me origjinë shqiptare në Greqi, punë, të cilat prisnin përfundimin e kimioterapive të Pirro Naçit për të parë dritën e botimit te librave më vete, libra promovuese për këto vlera të njohura pak, ose aspek deri më sot në vendin tonë.

Pirro kishte nje dorë karikaturisti me një stil origjinal dhe plot talent. Shpesh, artikujt e tij me fokus problematika nga Shqipëria ose Sarandën e tij e shtrenjtë, ilustroheshin pikërisht me këto punime në karikaturë.

Pirro ishte nje opinionist i shquar në disa gazeta si dhe në portalin e tij te dashur: SarandaNews.al . Objektiv, fin dhe i meçur.

Mjafton te lexosh shkrimet e tij që ilustrohen në çdo rast me punët graifike.

Si njeri me shpirt të madh dhe impulsiv, Pirro ishte edhe një promovues i paepur i Sarandës. Letërkëmbimi i tij me ide, projekt ide, skica etj, me fokus Sarandën është jo i vogël. Në keto letërkëmbime me pothuaj të gjithë kryebashkiakët e Sarandës deri më sot, gjen mjaft sugjerime të prekshme dhe të realizueshme për Sarandën, pa “ia kërkuar kush”, sipas togfjalëshit e paradigmave burokratike provinciale dhe partiake njëherësh që, në shumicëne tyre ishin trokitje në veshë ‘llamarine’ pushteti.

Por ai, lumturohej kur dikush nga krerët e bashkive i çonte nje falenderim.

Pirro mbushej me nje dritë shpirtërore të epërme dhe një energji pozitive që shpërndante, sa herë fliste për Sarandën dhe njerëzit e saj, intelektualë, përtej ndryshkut të paragjykimeve të origjinave, katundeve, besimeve dhe çdo dasie tjetër.

Pirro Naçi, me botën e tij shpirtërore dhe poliedrizmin aktiv, të kujtonte shpesh diçka nga iluminizmi i argjendtë i viteve ’30 në Shqipëri dhe ndoshta, Branko Merxhanin, si një prej mendjeve më të ndritura, kur shkruante:” Qytetërimin oksidental duhet ta marrim jo pjesërisht, jo të rreckosur, po të tërë, të pacënuar….”

Pirro Naçi, natyrshëm bën pjesë në ‘panteonin e rralluar‘ të kulturës sarandiote, dhe si pjesë integrale e asaj kombëtare.

Lamtumirë, miku ynë Pirro, bilbili i Sarandës, me një krah të plagosur prej sëmundjes së padrejtë !

Të qoftë e lehtë udha për në parajsë, atje, ku e ke vendin nga kjo ikje e parakohshme dhe e dhimbshme! (Nga SHKËLQIM HAJNO-/sarandaNews.al).///

error: