Nga Ymer ÇIRAKU
ISMAIL KADARE: “Një shenjë ndoshta të pakuptueshme/do t`ju bëj të gjithëve e do t`ik…”
Këto janë dy vargjet e fundit të poezisë së Ismail Kadaresë: “Koha e pamjaftueshme”, shkruar në pranverë 1990. Ndihet këtu mundimi autorial nga “mosthënia” e “pengu tragjik”, për gjithë ato motive e struktura stilistike, që dalldijnë etshëm e mbeten brënda tij. Si shkrimtar race, ai ndjen se ky “pengim” vjen nga arsye artistike, prej lartësive ku është ngjitur. Si dhe prej arsyesh të kuptueshme jashtë letrare. Por që lexuesit e tij, ata shqiptarë e të mbi 40 gjuhëve ku është e përkthyer vepra e tij, janë fatlumë sepse kanë në duar një pasuri të çmuar nga pena e tij.
Më poshtë, po ripostoj pjesë të shkrimit tim, shkruar me rastin e 85 vjetorit të lindjes së Tij. Për të dëshmuar kështu, se veprat e të mëdhenjve, kanë privilegjin të jetojnë me lexuesit e tyre. E bashkë me ato vepra do të vazhdojnë të jetojnë kështu edhe autorët, që i bekuan me shpirtin e tyre. Nderimi ynë si lexues për Kadarenë, nuk shterret për gjithë ato visare të çmuara letrare e intelektuale, që ky shkrimtar i shquar na i ka përcjellë – përmes Veprës së tij:
Në librin triptik (tripjesësh) “Ftesë në studio” (1990) të I. Kadaresë, është e përfshirë edhe një nga poezitë e tij me titull: “Koha e pamjaftueshme”. Këtu pasqyrohen të nënkuptuara pengjet e shkrimtarit në “betejat” e tij të pandalura me sfidat e letërsisë, për t`u hirësuar prej saj e për t`u ngjitur në shkallaret e larta të saj. Në fakt, koha tregoi se prej Kadaresë, janë të fituara të gjitha këto beteja dhe për më tepër, të fituara suksesshëm, si rrallë kush te ndonjë tjetër shkrimtar shqiptar. Dhe janë fituar në tërë gjinitë, ku ai lëvroi e botoi në një hark kohe – më tepër se gjysëm shekullore.
E “pamjaftueshme”, apo e “pamundur”, ndofta mbetet pikërisht ajo, se sa kemi mundur ne si lexues apo studiues t`i jemi qasur interpretimit dhe vlerësimit të kësaj vepre, e plazmuar artistikisht si një univers tejet origjinal e kompleks, me shumë shtresa e domethënie të rrafshit stilistik, estetik, filozofik, historik, kulturologjik, etnopsikologjik… I. Kadare është shkrimtari i prezantuar përpara lexuesit, qysh në fillimet e krijimtarisë letrare të tij, me vokacionin/ligjërimin e spikatur modern dhe ndërkaq, të lidhur fort për nga niveli i saj – me traditat më elitare të letërsisë shqipe dhe asaj botërore. Në krijimtarinë e tij, ai ka dëshmuar se arrin që të zotërojë një laborator krijues të sofistikuar/rafinuar estetikisht, duke përcjellë nëpër veprat e shumta, në prozë e në poezi, afreske të gjalla e unikale prej realitetesh të afërta dhe ato më të largëtat – nëpër rrjedha të historisë.
Në veprat e tij, e sidomos ato në prozë dhe eseistikë, I. Kadare është prezantuar si një eksplorator i thelbeve egzistenciale të individit e të nacionit, në rrafsh vertikal e horizontal, me përsiatje dhe makro e mikrostrukturime stilistike befasuese. Prania e veprës së tij në sistemin e letërsisë shqipe, ka qënë doemos një pikë e fortë referimi dhe një faktor ekuilibri në planin estetik, që kjo letërsi të mos atrofizohej e të mos degradonte – sidomos në rrethanat e sistemit totalitar që kaluam. Pra, vepra e tij, duke ndjekur dhe traditat tona më të arrira letrare, shkonte për tek lexuesi si një “letërsi normale” (do të thotë se përcillej si model “letrarësie”), në rrethanat anormale të asaj kohe, po të perifrazonim çka ka shprehur vet Kadareja.
Të gjitha këto risi potente artistike, që i ka përcjellë dukshëm vepra e tij, e bënë atë prej kohësh, një idhull të autoritetshëm nëpër gjeneratat e krijuesve, tek arti i të cilit, mbeteshin të bjerrura e të sfiduara muret e filozofisë dogmatike të “izolatrisë” (mbylljes, izolimit) dhe ku ndiheshin dukshëm “urat” e komunikimit me letërsitë e mëdha të traditës shqiptare e asaj botërore.
Studime të shumta, që i janë bërë (e do të vazhdojnë t`i bëhen) kësaj vepre nga studiues të kualifikuar, vendas e të huaj, kanë patur rastin që të vrejnë te kjo vepër shenja epizmi homerik, po kështu surealizmi, egzistencializmi, psikanalize – të niveleve të spikatura. Këto tipare arti elitar, rezultojnë që të jenë tretur në mënyrë origjinale dhe duke u dhënë prestigj të lartë veprave kadarejane, aq sa janë hedhur paralele për nga niveli i tyre – me vepra të autorëve të formatit botëror si: Kafka, Shekspir, Kamy, Dostojevski… “Kadareja na i kaloi të gjithëve”, do të shprehej për të me vlerësim të sinqertë D. Agolli, në një nga takimet me mikun e tij të letrave e të jetës. Ishte ai takim ky, i fiksuar në një kronikë televizive, pikërisht asaj kohe kur I. K., po kthehej për herë të parë nga Parisi, qëkurse ishte vendosur atje pas largimit të tij nga Shqipëria më 1990. Një gjest kuptimplotë ky, që dëshmon se nuk mund të mungojë fisnikëria në vëllazërinë e krijuesve të talentuar.
Te shkrimtari I. Kadare, shquajnë talenti i rrallë/i epërm artistik dhe formati i intelektualit vizionar, të cilat, Zoti ia dha me bujari të pazakontë. Prandaj edhe mund të na kujtohet me këtë rast, një mendim i shprehur vite më parë, prej një studiuesi të njohur të letrave se, kultura shqiptare ishte përgatitur një shekull për ta fituar këtë personalitet të madh letrar (e përtej letrar). Vepra e I.K. ka njohur botime e ribotime në më shumë se 40 gjuhë, ka fituar disa çmime të mëdha letrare dhe jo pak herë, ka qënë në rrethin më të ngushtë të kandidatëve për çmimin Nobel. Diku në librin e tij, “Mëngjeset në kafe Rostand” me motive nga Parisi (2014), sillet në vëmendje të lexuesit fjala e famshme e Gjergj Kastriotit për lirinë. Për të kujtuar dhe për të dëshmuar me mirënjohje e modesti përulëse shkrimtari, përmes kësaj parabole se, edhe ai, suksesin dhe lavdinë e letërsisë së tij, e gjeti dhe e ringriti/plazmoi artistikisht – prej thesareve shpirtërore të popullit të vet.
Kadare mbetet një personalitet i përmasave të atilla, që tashmë i ka kapërxyer prej kohësh kufijtë nacional, duke hyrë denjësisht në metropolin e letërsisë botërore, për të derdhur atje një art e vlerë të shtuar, të brumosur pikërisht përmes shqipes. E cila, siç e ndeshim të sublimuar në një nga poezitë e tij, është pikërisht:
“Kjo gjuhë martire,
Lehonë e përjetshme,
Që lindi mes dhembjesh
Art të pavdekshëm.” (“Gjuha shqipe”)
I tillë është e mbetet edhe vet arti letrar, të cilin, e blatoi aq mjeshtërisht prej magjisë së shqipes, shkrimtari ynë me njohje të përbotshme, Ismail Kadare: Art i Pavdekshëm! /sarandaNews.al.///

ME SHUME LAJME
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade
Rregullat për plazhet. Zbardhet kontrata e re, gjoba deri në 400 mijë lekë dhe rastet kur prishet kontrata