Nga Ermira ISUFAJ
Parku Kombëtar i Butrintit është vizituar në ditën e parë të këtij viti nga një grup turistësh të huaj. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja solli përshëndetjet e tyre këtë fillimviti nga parku kombëtar arkeologjik.
“Një Vit i Ri, një udhëtim i ri! Urimet nga vizitorët e parë në Butrint në 2025-ën”, shkroi Gonxhja.
“Jam Melania nga Costa Rica! Gëzuar Vitin e Ri të gjithëve! Ju uroj më të mirat nga Butrinti”, thotë një prej turisteve që ka vizituar Butrintin sot.
“Vij nga Amsterdami dhe ju uroj më të mirat për 2025-ën”, shprehet një tjetër.
Ndërsa, një çift ka udhëtuar nga Suedia për të vizituar Parkun Kombëtar të Butrintit. “Udhëtojmë nga Suedia. Jemi shumë të lumtur që jemi këtu në Shqipërinë e bukur. Gëzuar Vitin e Ri të gjithëve”, thonë ata.
Parku Kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit. Ai ndodhet 25 km larg qytetit të Sarandës dhe shtrihet nga brigjet e detit Jon të fushëgropës së Delvinës.
Në brendësi të parkut gjendet qendra kryesore arkeologjike e Butrintit, ndërsa përreth saj ka edhe monumente të tjera që dëshmojnë për qytetërim mbi 3000-vjeçar. Gjithashtu në brendësi të tij dhe afër tij ka disa monumente natyre me vlera shkencore, didaktike dhe turistike.
Një kombinim fantastik i mjediseve detare, lumore, lagunore, fushor e kodrinor, ku janë mjaft të pranishme edhe elementet historike, të tillë si Kalaja mesjetare e Ali Pashë Tepelenës, e sidomos rrënojat arkeologjike të qytetit të Butrintit, me fillesat që në sh.IV p.e.s. Për këtë arsye, pjesa arkeologjike e saj, në Gadishullin e Butrintit, është shpallur pjesë e UNESCO-s, që më 1999, gjë që rrit më tej atraksionin ekoturistik. ///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.