SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Nata e Kadrit, besimtarët muslimanë agjërojnë dhe shtojnë lutjet

Dijetarët islamë mendojnë se sot është Nata e Kadrit, një prej netëve të muajit të Ramazanit, për të cilën besohet se agjërimi gjatë saj është më i vlefshëm se 1000 muaj të tjerë.

Nata e Kadrit, çdo vit caktohet në një prej 10 ditëve të fundit të muajit të Ramazanit. Askush nuk e di të saktë datën por dijetarët thonë se ka shenja për ta zbuluar atë, siç mund të jetë ndriçimi i Diellit, disi i zbehtë e pa rreze ose edhe ndonje shi i lehtë.

Madhështia e kësaj nate qëndron në pranimin e lutjeve drejtuar Zotit. Nata e Kadrit nuk është e përcaktuar, por profeti Muhammed ka thënë se ajo bie në njërën prej netëve teke të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit. Besimtari duhet ta kërkojë atë përmes lutjeve të sinqerta. Fshehja e Natës së Kadrit është bërë me qëllim që besimtarët myslimanë të agjërojnë sa më shumë, për të marrë më shumë shpërblime, duke e kërkuar këtë natë gjatë kësaj periudhe.

Është pikërisht zbritja e Kuranit ajo që e ka bërë këtë natë të jetë kaq e vlefshme, madje më të vlefshme se një mijë muaj. Në të vërtetë, sikurse dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, që janë më të vlefshme se ditët paraprake të tij, po ashtu edhe në mesin e këtyre netëve është Nata e Kadrit, ajo që arrin kulmin e vlefshmërisë.

Në këtë natë filloi zbritja e Kuranit, libri i cili i tregoi njeriut se cili ishte ai në të vërtetë, e largoi njeriun nga adhurimi dhe përgjërimi ndaj çdo gjëje, duke e çuar vetëm drejt adhurimit të Zoti, krijuesit të tij. Nata e Kadrit, gjithashtu, e ka kuptimin e nderimit dhe të lartësimit.

Sipas Komunitetit Musliman të Shqipërisë, iftari i Natës së Kadrit është sonte në 18:05.

Dhjetë ditët e fundit të Ramazanit nisën në datë 21 mars. Ramazani është muaji i frymëzimit për vepra të mira dhe i shpërblimit të sakrificës e durimit; muaji i nëntë i kalendarit mysliman të hixhrit, i cili llogaritet sipas Hënës dhe jo sipas Diellit.(Edlira RUZI)///

error: