

Mijëra besimtarë katolikë dhe ortodoksë në të gjithë vendin përkujtuan të Premten e Zezë me ceremoni të veçanta: Udhën e Kryqit dhe procesionin e Epitafit. Në të gjithë vendin, besimtarët u bashkuan në lutje dhe reflektim në pritje të festës së Pashkëve, që këtë vit përkon për të dielën edhe për besimtarët katolikë, por edhe ata ortodoksë.
Në qytete të ndryshme të vendit, ceremonia e daljes së epitafit është ndjekur nga shumë besimtarë. Në Korçë, pasditja e së premtes u kthye në një nga momentet më të fuqishme shpirtërore të vitit, ku nën drejtimin e At Ilia Kotnanit, mijëra besimtarë ortodoksë morën pjesë në procesionin solemn të Epitafit.


Në Tiranë, qindra besimtarë u mblodhën në Katedralen Ortodokse, ndezën qirinj dhe u lutën përpara se procesioni të niste nga katedralja, të kalonte nëpër sheshin “Skënderbej” dhe të rikthehej sërish në kishë
Në Vlorë, ceremonia u zhvillua në Kishën e Shën Theodhorit, ku qindra besimtarë morën pjesë në daljen e epitafit, duke ndjekur ritin tradicional me qirinj të ndezur dhe këngë liturgjike që përshkruan dhimbjen dhe shpresën e kësaj dite të veçantë.
Në Fier, procesioni i Epitafit nisi nga Katedralja e Shën Gjergjit në orën 19:30, i shoqëruar nga Banda Frymore e qytetit. Epitafi përshkoi rrugët kryesore, ndërsa dhjetëra besimtarë të të gjitha moshave.
E Premtja e Zezë, siç njihet kjo ditë në traditën e krishterë, përkujton kryqëzimin dhe vdekjen e Jezus Krishtit. Quhet “e zezë” për të nënvizuar dhimbjen dhe heshtjen që përshkon këtë ditë të shenjtë.
Në këtë ditë, në të gjitha kishat bëhen ceremoni shumë solemne: nuk festohet asnjë meshë e zakonshme, altarët janë të zhveshur, kambanat nuk bien, dhe atmosfera është e zymtë dhe e heshtur.
Në ritin katolik bëhet Udha e Kryqit për të përjetuar momentet e fundit të Krishtit, ndërsa në ritin ortodoks zhvillohet procesioni i Epitafit, që përfaqëson varrimin simbolik të tij. Në të gjitha traditat e krishtera, e Premtja e Zezë është një nga ditët më të shenjta dhe më të trishta të vitit.
Ora 21:51 –Besimtarët ortodoksë në Berat kremtojnë të Premten e Zezë, Epitafi përshkon shëtitoren e qytetit, besimtarët luten për shëndet dhe mirësi. Në atmosferën e shenjtë të Pashkëve, besimtarët ortodoksë beratas u mblodhën sot për të përkujtuar të Premten e Zezë, ditën që simbolizon flijimin e Jezu Krishtit në kryq. Ceremonitë u zhvilluan në Katedralen e Shën Dhimitrit, ku qindra besimtarë ortodokse dhe jo vetëm, u bënë pjesë e këtij rituali të rëndësishëm shpirtëror.
Pas shërbesës së mbrëmjes,i udhëhequr nga Hiresia e Tij Asti së bashku me At Joan Qako dhe At Petraq Simsia,Epitafi i Katedrales së Shën Dhimitrit dhe Epitafi i Kishës së Shën Spiridonit, u shëtitën (në një proçesion solem) nëpër rrugën kryesore të qytetit të Beratit,ndërsa besimtarët luteshin për shëndet,mirësi dhe paqe. Ky ritual i përvitshëm për besimtarët ortodoks në Javën e Madhe të Pashkës shënon kulmin e dhimbjes për vdekjen e Krishtit por edhe fillimin e përgatitjes për gëzimin e Ringjalljes së tij në natën e Pashkës.
Rituali i mësipërm u organizua edhe ne kishen ne Shën Harallambit në Sarandë, në kishën e Delvinës dhe në disa kisha të tjera të këtij rajoni./(Foto në Sarandë: Elvin ÇUKARI) //
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade