Kryeministri dhe njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nga Elbasani, tha sot se më 11 maj çdo qendër votimi është një vagon i trenit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe, sipas tij, ky është momenti për të hyrë dhe për t’u ulur si shqiptarë në atë tren, pa u ndarë në të majtë dhe të djathtë.
Në fjalën e tij gjatë takimit përmbyllës elektoral në Elbasan, Rama tha se fitorja në 11 maj e PS do të jetë fitore me notën dhjetë.
“Më 11 maj ne duhet të kapim trenin e historisë për të vijuar rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ne i kemi humbur trenat e historisë. Ne mund të ishim sot shumë më përpara, por 1997-n nuk na e bënë të huajt, por ia bëmë vetes, ashtu si edhe të tjera më parë”.
“Prandaj treni i historisë ka ndalur përpara nesh, prandaj në çdo qendër votimi është një vagon i atij treni, ku duhet hipur dhe ku duhet ulur me votë krahë për krahë, majtas dhe djathtas me shqiptarë dhe shqiptare, pa i ndarë në socialistë e demokratë”, theksoi Rama.
Sipas kreut të PS, “fitorja jonë në 11 maj do të jetë më e bukura e kësaj historie që kemi shkruar së bashku, do të jetë një fitore me notën 10-të. Ne do të vazhdojmë me shumë besim, me shumë besim deri në fund të kërkojmë në zemrat dhe mendjen e çdokujt që na rri larg, shqiptarinë, dhe në ndërkohë dua t’ju them të tërëve: nuk shkohet në zgjedhje për të zgjedhur krushkun apo dhëndrin, por për të zgjedhur kalin që do të tërheqë karrocën”.
“Prandaj nuk keni çfarë kërkoni o demokratë, o rob Zoti me kalin gërmuq që po ju ngordh rrugëve, hajdeni dhe merrni karrocën e madhe të PS dhe ta bëjmë së bashku këtë sprint drejt lavdisë”, tha Rama.
Duke folur për mbështetjen e vajzave dhe grave për PS, Rama tha se “dhe një herë atyre që na thoshin përse e bënit fushatën me gratë, shikoni tani sa më shumë burra kanë ardhur, pasi gratë janë të parat”.(Arbi FORTUZI)///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI