Nga Vangjel AGORA
Sot mbas dite në ambientet e hotel “LINDI” u prezantua ribotimi i librit “NE,HASANTAHSINASIT” dhe u shpreh mirënjohja për të gjithë ata që me bujarinë dhe dashurinë për shkollën, kontribuan financiarisht për të bërë të mundur këtë ribotim . Ky kontribut nuk ishte thjesht një ndihmë materiale, por një dëshmi e lidhjes së fortë që ish-nxënësit, familjet dhe qytetarët e Sarandës vazhdojnë të kenë me gjimnazin Hasan Tahsini dhe me historinë e tij.


Nuk është rastësi që ky takim u zhvillua pikërisht në ditën e Mësuesit, një ditë feste që mbart një simbolikë të veçantë, mirënjohjeje për mësuesin dhe për misionin e shenjtë të dijes. Në një ditë të tillë, kur kujtojmë dhe nderojmë figurën e mësuesit, merr një kuptim edhe më të thellë vlerësimi ynë për ata që i kanë kushtuar jetën arsimit dhe edukimit të brezave.


Në këtë frymë, një falënderim i veçantë shkoi për autorin e këtij libri, profesorin Xhorxhi Vasili. I cili me përkushtim të rrallë, me këmbëngulje dhe me dashuri të thellë për shkollën, arriti ta sjellë këtë ribotim edhe pse në kushte jo të lehta shëndetësore. Ky fakt e bën këtë vepër edhe më të çmuar, sepse në çdo faqe të saj ndihet jo vetëm puna e studiuesit, por edhe zemra e mësuesit që nuk resht së shërbyeri shkollës së tij.

Ribotimi i librit “NE HASAN TAHSINASIT” nuk është vetëm një botim i ri, ai është një pasurim i kujtesës historike të gjimnazit. Në këtë botim janë bërë saktësime, janë përfshirë fotografi në cilësi më të mirë, janë shtuar dokumente të rralla dhe kapituj të rinj që pasqyrojnë rrugëtimin e shkollës në vitet më të fundit. Janë plotësuar të dhëna statistikore, janë shtuar emra nxënësish, mësuesish dhe drejtuesish që kanë kontribuar në jetën arsimore dhe kulturore të shkollës. Në këtë mënyrë, libri bëhet jo vetëm një kronikë e së shkuarës, por edhe një urë lidhëse midis brezave.

Dhe pikërisht këtu qëndron edhe vlera e madhe e punës së profesor Xhorxhi Vasili, që për dekada me radhë ka qenë pjesë e pandarë e jetës së kësaj shkolle:
Si mësues i matematikës, duke formuar me përkushtim breza të tërë nxënësish,

Si drejtues i shkollës, duke kontribuar në zhvillimin dhe organizimin e saj, dhe si krijues i muzeut të shkollës, duke ruajtur me kujdes dokumentet, fotografitë dhe kujtimet që përbëjnë historinë e këtij institucioni.

Falë këtij pasioni dhe këtij vizioni, sot historia e gjimnazit Hasan Tahsini nuk mbetet vetëm në kujtesën e individëve, por është e dokumentuar, e ruajtur dhe e përcjellë tek brezat që do të vijnë.


Prandaj sot nuk u festua vetëm ribotimi e një libri. por dhe kujtesa, përkushtimi dhe dashuria për arsimin. Festuan njerëzit që besojnë se historia e një shkolle është pasuri e gjithë komunitetit. /SARANDANEWS.AL///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade