Tiranë – Prapaskenat e industrisë muzikore globale, sfidat reale dhe strategjitë e suksesit u diskutuan në panelin “Behind the Artist: Managing a Creative Journey”, zhvilluar në kuadër të aktivitetit MuseX në Tiranë, me pjesëmarrjen e ekspertëve ndërkombëtarë të menaxhimit, produksionit dhe booking-ut.
Paneli solli një panoramë të qartë të rrugëtimit të artistit modern, duke theksuar se suksesi në industrinë muzikore nuk lidhet vetëm me talentin, por kërkon strategji afatgjata, koordinim kompleks dhe përshtatje të vazhdueshme me tregun.
Menaxherja nga Beogradi, Milica Fajgelj, ndau përvojën e saj në punën me artistë të njohur dhe në skenën e Eurovision-it, duke theksuar një paradoks të tregut ballkanik. Sipas saj, artistët që arrijnë sukses të madh në vendet e tyre shpesh e kanë të vështirë të depërtojnë ndërkombëtarisht për shkak të pritshmërive financiare.
“Suksesi lokal ndonjëherë krijon barriera për tregun global, sepse artistët nuk janë të gatshëm të ulin tarifat për të hyrë në festivale ndërkombëtare,” u shpreh ajo.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i agjencisë holandeze People’s Agency, Will Dekeunik, theksoi rëndësinë e një vizioni të qartë dhe planifikimit strategjik. Ai shpjegoi se ndërtimi i karrierës së një artisti bazohet në objektiva konkrete afatshkurtra dhe afatgjata, të cilat rishikohen vazhdimisht për të qenë në përputhje me zhvillimet e tregut.
Ndërkohë, Steph Moran nga Prime Culture në Londër foli për sfidat e mëdha që shoqërojnë publikimet muzikore, duke i cilësuar ato si procese komplekse që kërkojnë koordinim global. Ajo theksoi se, pavarësisht strategjive dhe investimeve, suksesi i një hiti mbetet i lidhur ngushtë me reagimin e audiencës dhe viralitetin organik.
Në fokus të diskutimit ishte edhe modeli i pavarur i zhvillimit në industri. CEO i YOYAKU, Benjamin Belaga, theksoi rëndësinë e ndërtimit të strukturave të pavarura që mbështesin artistët e rinj dhe krijojnë komunitete të qëndrueshme, duke reduktuar varësinë nga tregjet tradicionale.
Sfidat logjistike u evidentuan nga Carolin Stötling e agjencisë gjermane Triple One, e cila nënvizoi vështirësitë në organizimin e turneve ndërkombëtare, për shkak të pasigurive në transport dhe planifikim.
Paneli u mbyll me një reflektim mbi rolin kompleks të menaxherit në industrinë muzikore, ku, përtej aspektit profesional, kërkohet edhe mbështetje emocionale për artistët.
Diskutimi në MuseX nxori në pah se pas çdo suksesi muzikor qëndron një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, ku bashkohen strategjia, bashkëpunimi dhe puna e padukshme, duke ofruar një pasqyrë reale për artistët e rinj që synojnë të ndërtojnë një karrierë në tregun ndërkombëtar.///
ME SHUME LAJME
Qeveria shpall pasuri të reja kulturore. Fokus mbrojtja dhe zhvillimi i trashëgimisë
Info PLUS – Përfitimet dhe rreziqet pas filxhanit të katërt të kafesë
Jug.Fluks turistësh të huaj: Shqipëria destinacion befasues, do rikthehemi edhe në verë