SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

“Euronews”: Shqipëria 2026, nga Riviera tek Alpet, një destinacion në rritje

Nga një gamë hotelesh luksoze deri te lehtësimi i rregullave të vizave për disa vizitorë, Shqipëria ka shumë për të ofruar këtë vit, sipas “Euronews”.

Shqipëria ka përjetuar një rritje të interesit turistik gjatë viteve të fundit, falë përballueshmërisë së çmimeve, vijës së saj mahnitëse bregdetare dhe qyteteve historike.

Kjo e bën kaq të veçantë këtë vend ballkanik, ndërsa mbipopullimi turistik vazhdon të prekë destinacione të mëdha evropiane si Italia, Greqia, Spanja dhe Portugalia.

Alpet Shqiptare janë gjithashtu një alternativë “gur i çmuar i fshehur” ndaj Dolomiteve, të cilat kohët e fundit po përballen me një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve.

Po planifikoni të udhëtoni në Shqipëri këtë vit?

Vendet kryesore që duhet të vizitoni:

Tirana

Kryeqyteti i Shqipërisë u ofron turistëve një kulturë të gjallë dhe një histori të pasur.

Si një qytet që po transformohet me shpejtësi nga një periudhë e mbyllur komuniste në një qendër dinamike ballkanike, Tirana paraqet një ndërthurje unike të arkitekturës italiane, osmane dhe të epokës komuniste.

Vizitoni monumente ikonike si Piramida e Tiranës, Bunk’Art 1 & 2 dhe Muzeun “Shtëpia me Gjethe”, për të kuptuar më mirë historinë komuniste të qytetit, ose shëtisni përreth ndërtesave shumëngjyrëshe dhe artistike.

Tirana ka gjithashtu një kulturë të gjallë kafenesh dhe baresh, ku turistët mund të provojnë gatime lokale si, byreku.

Me një plan urban kompakt dhe të lehtë për t’u eksploruar më këmbë, qyteti ofron gjithashtu akses të shpejtë drejt maleve dhe natyrës.

Riviera Shqiptare

Riviera Shqiptare përfshin bregdetin mahnitës të Jonit dhe plazhet e fshehura si, Gjipeja dhe Filikuri.

Relaksohuni në plazhet me rërë të bardhë ose guralecë si Jala dhe Ksamili, ose bëni një tur me varkë për të eksploruar gjire të fshehura.

Adhuruesit e sporteve ujore mund të bëjnë kajak ose zhytje për të zbuluar botën nënujore të detit Jon, si dhe të vizitojnë burimin natyror “Syri i Kaltër”.

Eksploroni Kalanë e Porto Palermos të shekullit XIX ose rrënojat antike të Butrintit, të mbrojtura nga UNESCO.

Alpinistët mund të shijojnë shtigjet e Parkut Kombëtar të Llogorasë.

Shijoni ushqimet e freskëta të detit në restorantet buzë detit në Sarandë ose udhëtoni në Himarë për një atmosferë më të qetë.

Alpet Shqiptare

Turistët që kërkojnë pushime të qeta dhe të paharrueshme malore mund të drejtohen në Alpet Shqiptare, të njohura edhe si “Bjeshkët e Nemuna”.

Shijoni peizazhe të egra në një nga shëtitjet më të famshme të zonës, itinerarin Valbonë–Theth, që zgjat rreth 6 deri në 9 orë, ose vizitoni “Syrin e Kaltër të Thethit”, një pishinë natyrore me ujë të ftohtë dhe ngjyrë të kalter pranë fshatit Nderlysaj.

Vizitorët mund të eksplorojnë gjithashtu Kanionin e Grunasit dhe Ujëvarën e Grunasit.

Vizitoni fshatra tradicionale si Thethi dhe Valbona për të parë jetën malore ose bëni një udhëtim me varkë nëpër kanionet e Drinit në Liqenin e Komanit, për një përvojë “si Fjordet” në brigjet e Norvegjisë.

Për një eksperiencë më autentike, mund të qëndroni në një kullë tradicionale prej guri, me ushqim organik dhe mikpritje lokale.

Hotele të reja në Shqipëri

Green Coast Hotel

I hapur në qershor 2025 në bregdetin e Jonit pranë plazhit të Palasës, ky është hoteli i parë luksoz i koleksionit MGallery në Shqipëri.

Hoteli me pesë yje është rreth një orë larg me makinë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, duke e bërë udhëtimin më të lehtë.

Me një dizajn të veçantë, hoteli imiton një gurore guri, me synimin për t’u harmonizuar me mjedisin mesdhetar dhe përdor materiale natyrore.

I pozicionuar në Rivierën Shqiptare, vizitorët mund të shijojnë peizazhet mahnitëse shkëmbore dhe plazhet e pastra.

Ka gjithashtu një plazh privat me një spa dhe pishinë me pamje panoramike të detit nga çdo dhomë.

Adhuruesit e historisë mund të mësojnë për lidhjen antike të Palasës me Jul Çezarin përmes shtegut të ecjes “Caesar’s Trail”.

Aty pranë, turistët mund të vizitojnë Parkun Kombëtar të Llogarasë, ideal për hiking, kuzhinë tradicionale malore dhe pyje me pisha.

Crowne Plaza Durrës

Crowne Plaza Durrës është një tjetër hotel me pesë yje në bregdetin Adriatik të Shqipërisë, i hapur në vitin 2026.

Me mbi 130 dhoma moderne, ai ndodhet në shëtitoren Taulantia dhe ofron akses të lehtë në qendër të qytetit më të vjetër të Shqipërisë dhe atraksionet lokale.

Turistët mund të shijojnë spa-në, pishinën e brendshme, kazinon dhe qendrën e fitnesit, ndërsa vizitorët e biznesit kanë hapësira moderne takimesh.

Për mirëqenie ofrohen gjithashtu një sauna dhe një hamam turk.

Adorn Tirana

Adorn Tirana, pjesë e “Handwritten Collection” të Accor, pritet të hapet në tremujorin e dytë të vitit 2026.

Me vetëm 25 dhoma, përfshirë gjashtë suita, hoteli synon të ofrojë një atmosferë të ngrohtë dhe intime në krahasim me opsionet më të mëdha.

I vendosur në rrugën Gjin Bue Shpata në Tiranë, ai ofron akses të lehtë në pika kyçe si Bunk’Art 2 dhe Galeria Kombëtare e Arteve.

Hoteli është i përshtatshëm si për turistë ashtu edhe për udhëtarë biznesi, me afërsi ndaj atraksioneve si Stadiumi “Selman Stërmasi” dhe Parku i Liqenit Artificial të Tiranës.

Gjithashtu, Sheshi Skënderbej dhe ish-rezidenca e Enver Hoxhës janë shumë pranë.

Dhomat do të kenë pajisje standarde si ajër të kondicionuar, televizor, minibar, shërbim 24-orësh në dhomë dhe internet falas me shpejtësi të lartë.

Vizitorët mund të shijojnë gjithashtu një piano bar dhe restorantin e ngrohtë, si dhe shërbime si transferime nga aeroporti.

Zhvillime të ardhshme

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës pritet të hapet në mënyrë provizore në fund të vitit 2026, me infrastrukturën kryesisht të përfunduar.

Megjithatë, projekti ka pasur disa vonesa që nga viti 2024 për shkak të certifikimeve të mbetura, ndaj afati mund të shtyhet më tej.

I vendosur pranë Akernisë, rreth 10 kilometra në veri të Vlorës, ky do të jetë aeroporti i tretë ndërkombëtar i Shqipërisë dhe pritet t’i shërbejë mbi 1 milion pasagjerëve në vit.

Ai do të fokusohet kryesisht në turizmin e bregdetit jugor.

Aeroporti do të ketë një pistë 3,200 metra, duke mundësuar pritjen e avionëve më të mëdhenj dhe më shumë turistëve.

Pas hapjes, turistët do të kenë akses të shpejtë në Rivierën Shqiptare dhe zonën jugore bregdetare, si dhe në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë–Nartë, i cili ofron aktivitete si hiking, çiklizëm, vëzhgim të faunës dhe lundrim, si dhe manastire si ai i Zvërnecit.

Aktualisht, vizitorët që udhëtojnë drejt Vlorës duhet të përdorin Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, rreth dy orë larg.

Udhëtim pa vizë

Shqipëria mban një politikë hyrjeje “të hapur dhe miqësore për vizitorët” – veçanërisht për turistët evropianë, sipas LoveAlbania.al.

Qytetarët e BE-së, zonës Shengen, vendeve të EEA-s, Zvicrës dhe Britanisë së Madhe mund të vizitojnë Shqipërinë pa vizë për qëndrime të shkurtra.

Qëndrimi pa vizë lejohet deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, në përputhje me rregullat e zakonshme evropiane të udhëtimit.

Arabia Saudite është vendi më i fundit i shtuar në listën e vendeve pa vizë.

Nga 15 prilli deri më 31 dhjetor 2026, turistët sauditë mund të udhëtojnë në Shqipëri pa vizë vetëm me pasaportë të vlefshme.

Ky përjashtim është i përkohshëm dhe vlen vetëm për qëllime turistike, duke mbuluar pikun sezonit dhe festat e fundvitit.

Pasaportat duhet të jenë të vlefshme për të paktën gjashtë muaj pas qëndrimit të planifikuar në Shqipëri.

Qytetarët sauditë me viza të vlefshme hyrëse nga zona Shengen, SHBA-ja ose BM-ja, të përdorura të paktën një herë më parë, mund të hyjnë gjithashtu në Shqipëri, së bashku me ata që kanë leje qëndrimi të vlefshme nga këto vende.(Atila KOTA)///

error: