SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Nis protesta e 21-të kundër investimit në Zvërnec, i bashkohen edhe shqiptarë nga diaspora

 Protestuesit u mblodhën sot sërish në sheshin “Skënderbej” në ditën e 21-të radhazi në protestën kundër zhvillimit të projektit turistik në Zvërnec.

Protestës sot i janë bashkuar edhe protestues të ardhur nga diaspora.

Pas qëndrimit në sheshin “Skëndërbej”, protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë. Fillimisht, pasi u mblodhën në sheshin përpara Kryeministrisë, u këndua himni kombëtar, ndërsa më tej morën fjalën qytetarë dhe aktivistë të protestës.

Me pankarta dhe flamuj në duar ata përsëritën thirrjet e tyre për ndalimin e zhvillimit të projektit turistik në Zvërnec. Në një pankartë i kërkohej kryeministrit dorëheqja deri më 21 qershor 2026, në të kundërt revolucioni do të i jetë i dhunshëm.

Protestuesit kanë parashtruar pesë kërkesa kryesore: dorëheqjen e kryeministrit; shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë; shfuqizimin e Paketës së Maleve; anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura; si dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.

Protestues të ardhur nga vende të ndryshme të Europës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës morën fjalën mbrëmjen e sotme në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, duke shprehur mbështetjen e tyre për lëvizjen qytetare dhe duke kërkuar ndryshime politike në vend.

Një emigrante tha se ishte larguar nga Shqipëria në moshë të vogël jo me dëshirë, por për shkak të mungesës së alternativave për familjen e saj.

“Ky pushtet na ka hequr dinjitetin. Jemi bërë prindër të prindërve tanë. Jemi detyruar t’i marrim prej dore dhe t’u mësojmë një gjuhë të huaj”, u shpreh ajo.

Një tjetër pjesëmarrëse, e ardhur nga Berlini, tha se diaspora i është bashkuar protestës për të mbështetur qytetarët në kërkesat e tyre për ndryshim.

“Diaspora ka ardhur si dashi këmborë që futet në oborrin e vet. Së bashku do të dalim me fitore nga ky shesh dhe do ta ndërtojmë këtë vend”, deklaroi ajo.

Nga foltorja foli edhe një i ri i ardhur nga Anglia, i cili u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë unitetin dhe të mos lejojnë përçarjen.

“Duhet të qëndrojmë të bashkuar. Fuqia është te populli dhe te solidariteti mes qytetarëve”, tha ai.

Një qytetar i ardhur nga Britania e Madhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike me mandat të përkohshëm, e cila sipas tij duhet të garantojë reforma zgjedhore dhe demokratike. Ai propozoi ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe lista të hapura për zgjedhjet parlamentare, duke theksuar nevojën për përfaqësim më të drejtpërdrejtë të qytetarëve.

Ndërkohë, një emigrant nga Shtetet e Bashkuara tha se kishte ardhur posaçërisht për të mbështetur protestën e të rinjve, ndërsa pjesëmarrës të tjerë e cilësuan tubimin si një moment historik dhe bënë thirrje për angazhim të vazhdueshëm në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë.

Një protestuese e ardhur nga Italia deklaroi se diaspora shqiptare mbështet kërkesat e protestuesve dhe se do të vijojë të ndjekë nga afër zhvillimet politike në vend.

…vijon

protesta e 21-të kundër investimit në Zvërnec Foto: Andrin Hoxha (Gjergji MIMA)

error: