SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Finiq. Kadastra vijon procesin e regjistrimit të pronave në fshatrat Aliko dhe Çaush

Nga Eva XHAJANKA

Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) vijon procesin e trajtimit të aplikimeve për regjistrimin e pronave në fshatrat Aliko dhe Çaush të bashkisë Finiq.

Sipas njoftimit të ASHK-së, po trajtohen të gjitha aplikimet për shtëpitë e ndërtuara para vitit 1991, oborret në përdorim dhe trojet funksionale.

Specialistët e Kadastrës kanë përfunduar verifikimet dhe matjet në terren për të gjitha pasuritë e përfshira në proces, ndërsa të dhënat janë afishuar pranë Drejtorisë Vendore të ASHK-së në Sarandë.

Në shkallë vendi, procesi i regjistrimit të shtëpive të ndërtuara para vitit 1991, oborreve në përdorim dhe trojeve funksionale është pjesë e programit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për formalizimin e pronësisë dhe zgjidhjen e problematikave të trashëguara ndër vite.

Procesi synon t’u japë zgjidhje mijëra familjeve që zotërojnë banesa të ndërtuara para vitit 1991, por që nuk disponojnë dokumentacion të plotë pronësie. Përmes verifikimeve në terren, matjeve kadastrale dhe shqyrtimit të dokumentacionit, ASHK identifikon pasuritë, afishon të dhënat për verifikim publik dhe më pas emeton vendimet përkatëse, duke mundësuar regjistrimin e pronës në emër të poseduesve.

Ky proces po zbatohet gradualisht në të gjithë vendin dhe synon të rrisë sigurinë juridike të pronës, të lehtësojë transaksionet me pasuritë e paluajtshme dhe të përmbyllë një nga proceset më të rëndësishme të formalizimit të pronësisë në Shqipëri.///

error: