Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe kryetari i bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi zhvilluan një inspektim të masave të marra për mbarëvajtjen e sezonit turistik, në një kohë kur flukset e turistëve dhe qytetarëve në portet dhe pikat e tjera të kalimit kufitar vijojnë të rriten.
Siguria e qytetarëve dhe turistëve, garantimi i rendit publik dhe reagimi i shpejtë i strukturave ligjzbatuese mbeten prioritete gjatë sezonit turistik.
Ministri Lamallari theksoi se rritja e numrit të turistëve sjell edhe më shumë përgjegjësi për Policinë e Shtetit, duke vlerësuar punën e punonjësve të policisë në garantimin e jetës dhe sigurisë së qytetarëve dhe vizitorëve.
“Ne kemi tre mesazhe kryesore si Ministri e Punëve të Brendshme. Së pari, siguria e jetës së qytetarëve dhe e turistëve. Sa më shumë ata vijnë e vizitojnë jo vetëm Sarandën, por gjithë bregdetin shqiptar, kjo nënkupton më shumë përgjegjësi për Policinë e Shtetit”, u shpreh ministri Lamallari.
Ai nënvizoi se gjatë sezonit turistik nuk do të tolerohet paligjshmëria, ndërsa reagimi i shpejtë dhe profesional i Policisë së Shtetit ndaj çdo kërkese për ndihmë është thelbësor për forcimin e besimit të qytetarëve dhe turistëve.
“Do të lejojmë zero paligjshmëri, qoftë në kuptim të aktiviteteve kriminale, paligjshmërive të ndryshme, ato që kanë të bëjnë me sigurinë rrugore. Kurdoherë që kërkohet ndihmë nga qytetarët, reagimi i shpejtë, i menjëhershëm i Policisë së Shtetit është kritik, është i rëndësishëm”, theksoi Lamallari.
Ministri i Punëve të Brendshme vuri gjithashtu theksin te bashkëpunimi ndërinstitucional, duke e cilësuar garantimin e një sezoni turistik të sigurt dhe cilësor si një përgjegjësi të përbashkët të institucioneve qendrore dhe vendore.
“Një turizëm cilësor, që kontribuon në ekonominë kombëtare, nënkupton dhe bashkëpunimin e të gjithë aktorëve. Prandaj kemi zgjedhur të jemi këtu së bashku me Ministrin e Turizmit, për të bashkuar forcat”, tha ai.
Ndërsa ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja vlerësoi pozitivisht mbarëvajtjen e sezonit turistik, duke theksuar rritjen e hyrjeve të vizitorëve të huaj, si dhe treguesit e sigurisë dhe miradministrimit.
Gonxhja tha se sezoni veror po karakterizohet nga rezultate të mira, jo vetëm në aspektin e numrit të turistëve, por edhe sa i takon sigurisë dhe menaxhimit të sezonit.
“Jemi në kulmin e sezonit veror dhe është një sezon i cili karakterizohet nga shifra shumë pozitive. Jo vetëm sa i takon hyrjeve të vizitorëve të huaj, që është një kënaqësi e madhe për ekonominë dhe për turizmin, por në radhë të parë për shifrat që lidhen me sigurinë, me mbarëvajtjen e sezonit, me të gjithë miradministrimin dhe mirëmenaxhimin”, u shpreh Gonxhja.
Sipas tij, rezultatet janë produkt i koordinimit dhe bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit, pushtetit vendor, strukturave të turizmit dhe institucioneve të tjera të angazhuara në menaxhimin e sezonit.
“E gjithë kjo nuk vjen rastësisht. Është falë një koordinimi, bashkëpunimi dhe një gatishmërie e përkushtimi në nivel shumë të lartë nga Policia e Shtetit, nga organet e vetëqeverisjes vendore dhe nga të gjithë të tjerët”, deklaroi ministri.
Gonxhja vlerësoi gjithashtu angazhimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe strukturave të tjera në terren, duke theksuar se treguesit e deritanishëm dëshmojnë se sezoni është në nivelet më të mira të mundshme.
“Shifrat e tregojnë, tashmë e vërtetojnë se jemi në nivelet më të mira të mundshme”, tha Gonxhja, duke falënderuar të gjitha strukturat dhe punonjësit e angazhuar për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Në fokus të inspektimit ishin gjithashtu administrimi i hapësirave publike dhe plazheve, garantimi i aksesueshmërisë dhe sigurisë për pushuesit, si dhe respektimi i rregullave për zhurmat, me qëllim që zhvillimi i aktivitetit turistik të shoqërohet me respektimin e qetësisë dhe të drejtave të banorëve dhe pushuesve.
Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse dhe pushtetin vendor, vijon zbatimin e masave për një sezon turistik të sigurt, të rregullt dhe cilësor, duke synuar që vizitorët vendas dhe të huaj të largohen nga Shqipëria me përshtypjet më të mira dhe të rikthehen sërish.(Gjergji MIMA)





ME SHUME LAJME
Ksamil. Shkeli perimetrin e sigurisë me mjet lundrues duke rrezikuar jetën e pushuesve. I bllokohet mjeti dhe gjobitet.
Rezervimet nga Franca rriten me 288%, “BFM Business”: Faktorët që e kanë kthyer Shqipërinë në destinacion të preferuar
OPINION. Llogaritë e shtatorit