Konsolidimi i sektorit të turizmit me synimin për të kaluar nga një turizëm sezonal në një ofertë turistike gjithëvjetore mbetet në fokus të politikave të qeverisë për periudhën afatmesme 2027-2029.
Sipas relacionit të projektbuxhetit, objektivi kryesor është rritja e peshës së turizmit në ekonominë kombëtare, me kontributin e këtij sektori në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PPB) që parashikohet të stabilizohet në nivelin 33% gjatë periudhës 2027-2029, nga 26.4% që ishte në vitin 2025.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe tregut të punës dhe zhvillimit rajonal. Sipas parashikimeve, niveli i punësimit në sektorin turistik pritet të rritet nga 8.6% në vitin 2026, në 8.7% në vitin 2027, për të arritur në 8.8% përgjatë viteve 2028-2029.
Në të njëjtën kohë, parashikohet zgjerimi i kapaciteteve akomoduese në vend. Numri i strukturave akomoduese pritet të rritet nga 2,100 njësi në vitin 2027, në 2,150 njësi deri në vitin 2029.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me zgjerimin e agroturizmit. Sipas të dhënave zyrtare të qeverisë, numri i bizneseve të licencuara në këtë sektor parashikohet të rritet nga 400 në vitin 2027, në 650 në vitin 2029.
Për sa u përket flukseve ndërkombëtare, Shqipëria synon të vijojë rritjen e numrit të vizitorëve të huaj. Shtetasit e huaj që parashikohet të hyjnë në vend llogariten në 15.5 milionë në vitin 2027, ndërsa deri në vitin 2029 ky numër pritet të arrijë në 16 milionë.
Këto objektiva synojnë forcimin e rolit të turizmit në ekonominë shqiptare, diversifikimin e ofertës turistike dhe shtrirjen e aktivitetit përgjatë gjithë vitit, duke nxitur njëkohësisht punësimin dhe zhvillimin ekonomik në rajone të ndryshme të vendit.(Maela MARINI)///
ME SHUME LAJME
Turizmi me ligj të ri, regjistrim në “e-Albania” për dhomat me qira, rregulla të reja për hotelet, udhërrëfyesit dhe agjencitë
Korfuz. Takim i frytshëm dypalësh mes kryebashkiakëve Oltion Çaçi dhe Stefanos Pulimenos
Ndërpritet Bojkoti i Avokatëve në GJKKO!