Nga LEONIDHA MERTIRI /
Një nga themeluesit më në zë të Partisë Demokratike, drejtues i saj, Besnik Mustafaj, siç kemi mësuar këto ditë, rikthehet në radhët e forcës më të madhe opozitare në vend. Natyrisht, një lajm i mirë. Në këtë mënyrë, i bëhet nder kësaj force politike, një vlerë e shtuar e saj. Ish-ambasadori, ministri i Punëve të Jashtme, shkrimtari, Presidenti aktual i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, do të jetë pjesë e Komisionit për vlerësimin e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.
Kështu e përjetova dhe unë këtë lajm, si rrjedhojë pozitive, që si qytetar i këtij vendi kam dëshiruar vazhdimisht kthimin aktiv të figurave si Mustafaj, të të rinjve dhe intelektualëve të shquar, të të ngjashmëve, krijues të kësaj partie, me të ndjerin Pjetër Arbnori apo Alfred Serreqët, Tomorr Malasit e rinj, të pakompromentuar dhe larg konflikteve, bllokimeve e përplasjeve qurravece, që vetëm zgjidhje dhe progres nuk sjellin. Njerëz të rinj, figura publike me background të admirueshëm. Jo të vathave të klaneve. Një opozitë e tillë do t’i bënte qeveritarët e korruptuar t’u dridheshin gjunjët sapo të fillonin të mendonin për tenderët korruptivë. E kështu mund të vazhdonim dhe më tej. Partia Demokratike ka aq shumë nevojë, sidomos në kushtet e tanishme. Nuk marr përsipër të flas dhe për kandidaturat e tjera të Komisionit të mësipërm, ndonjë, mendo- i konsumuar dhe vështirë t’i sjellë ndonjë vlerë të veçantë Partisë Demokratike.
Vendi, zhvillimet demokratike kërkojnë opozitë të fortë që gjeneron ide. Pra, një alternativë të re të qeverisjes, që e bën atë të mos flejë mbi dafina e të reflektojë mbi paudhësitë e të gjitha ngjyrave të njerëzve të saj.
Vetë Mustafaj, i kthjellët në bindjet e tij, e shikon këtë si detyrën më të vështirë, më delikate dhe komplekse që ka marrë ndonjëherë përsipër. Kontaktet me PD-në ai nuk i ka humbur dhe më parë, edhe kur kritikat ndaj drejtuesve të saj nuk kanë munguar, por kanë qenë të rrepta dhe konstruktive, pa ekuivokë në opinion. Rikthimi në PD as që bëhet fjalë për poste. Në fund të fundit, gjykon fjala e anëtarëve. Ndërkohë, secili i futet garës. Vetëm ky lloj kandidimi. Ndryshe, ku ishe? Asgjëkund. Pra, një garë e vërtetë, e hapur për gjithë anëtarësinë e Partisë Demokratike. Me bindjen që kjo e fundit t’i njohë mirë cilësitë e kandidatëve, të parë në debate të hapura e konstruktive.
Ndaj dhe për Besnik Mustafajin, detyra që i është ngarkuar shihet si më e vështira, më delikatja dhe më kompleksja që ka marrë përsipër. A mund të dalë ai i turpëruar pas kësaj?
Pyetjet bëhen me të drejtë dhe më tej hedhin shtat. Ato lidhen me qëndrime të ndryshme. Çështja është sa do t’u rezistohet, për shembull, presioneve në këtë drejtim. Pavarësisht nga ato vijnë. Ky do të ishte risk jo i vogël për të dhe anëtarët e tjerë. Qofshin ato dhe nga lidershipi i PD-së, figura të njohura të saj. Mosfunksionimi në këtë mënyrë dhe në bazë të standardeve e bën atë, sikurse thotë dhe vetë, të japë dorëheqjen. Të papranueshme me karakterin e tij. Partia duhet të çlirohet nga këto lloj amalgamash impakti. Nuk mund të përkundesh sa andej-këtej. Ish-ministri i Jashtëm, që dha dorëheqje të parevokueshme vite më parë, kjo dorëheqje nuk lidhej me kurrfarë akuze ndaj tij. Askush nuk e detyronte atë të merrte këtë vendim, pavarësisht që dikush nga zëvendësit e tij, pas shpine, me virus të theksuar intrigash e karrierizmi, dëgjohej diku nga drejtuesit më të lartë duke spostuar anëtarin legjitim të qeverisë. Ishte një veprim fisnik kjo dorëheqje. Ajo lidhej drejtpërdrejt me vendosjen e një standardi të ri, për një politikë sa më të përgjegjshme dhe që strukturat qeveritare të mos funksionojnë sipas orekseve të njërit apo tjetrit, qoftë ky kryeministër apo president. Si njeri i kulturuar, gjithmonë i kthjellët. Një intelektual par excellence nuk ka si të mos reflektojë kurajë dhe integritet të dukshëm. Emërues i përbashkët i këtyre intelektualëve është që, me angazhimin e tyre serioz, me urtësi, kundër thashethemnajave dhe pa blasfemi, të bien ndryshime në kah pozitiv, kundër konformizmave, kur politika mediokre përpiqet të zgjerojë hapësirën e vet.
Për sa folëm, nuk duam të krijohet përshtypja se kthimi në PD i Besnik Mustafajit është gjithçka dhe do të sjellë ndryshime të mëdha. Dhe as nuk do të thoshim si dikur Arkimedi mbretit Geron i Sirakuzës, sipas anekdotës: “Më jepni një pikë mbështetje dhe unë do të ngre botën”.
Misioni i tij dhe kolegëve si ai në këtë kthim është shpresëdhënës. Sa do të jetë mbështetja dhe përkushtimi për krah tyre, mbetet për t’u parë. E rëndësishme është t’i shërbejë qëllimit të duhur, që opozita e sotme të ngrihet në nivelin që kërkohet, pavarësisht operacioneve të nevojshme, që mund të jenë të dhimbshme. Kështu dhe njerëzit nuk do të mbeten të zhgënjyer///
ME SHUME LAJME
As Balluku nuk e afroi dot kilometrin e fundit
SHËNIM. Pa shëndetin e kafshëve nuk ka shëndet publik
“Katedralja jonë me kunja dhëmbësh”