Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, u kërkoi sot të gjitha bashkive të vendit që të nisin pastrimin dhe dezinfektimin e shkollave për t’i bërë gati për në shtator.
Ministrja Shahini u shpreh se qëllimi është hapja e shkollave për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, por sipas specifikave.
“Kemi zhvilluar një pyetësor për shkollat te nxënësit, prindërit dhe mësuesit. 87% mendojnë se duhet të kthehemi në shkollë në fillim të vitit shkollor dhe vetëm 13% duan kushte shtëpie. Ne pajtohemi me ju dhe prandaj kemi zhvilluar në korrik disa skenarë për mundësinë e hapjes së shkollave në fillim të vitit të ri shkollor, në varësi të gjendjes së shkollave, numrit të nxënësve, dhe nevojës të komunitetit për të qenë fizikisht në klasa për të vazhduar mësimin”, tha Shahini.
Sipas saj, “skenarët janë të ndryshëm, në varësi të numrit të nxënësve për shkollë”. “Ka shkolla që mund të vijojnë mësimin normalisht duke ruajtur distancimi, ku ka pak nxënës, ka shkolla që punojnë me një turn, por do i ndajmë me grupe të vogla, ka shkolla të tjera në zonat e tërmetit që ka numër të madh që duhet të organizohen në një formë tjetër për kthimin në shkollë dhe ruajtjen e distancimit social, duke i ndarë në më shumë turne ose duke i çuar në shkollat më të afërta”, tha Shahini.
Ajo tha se “ne kemi bërë një pilotim të kthimit të nxënësve në shkollë për maturantët në maj dhe funksionon si proces”.
“Ne mund të ruajmë shëndetin e nxënësve dhe mësuesve duke i hapur shkollat me shumë kujdes. Gjermania dhe Zvicra i bënë hapjen e shkollave pa bërë shumë ndryshime në strukturat e tyre ngaqë kanë klasë me numër të vogël të nxënësve. Franca do i ndajë në grupe, pasi ka numër të madh nxënësish. Vendet e rajonit do i hapin pjesërisht për arsimin fillor. Ne duam t’i hapim për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, por sipas specifikave, që kanë shkollat duke e kombinuar me mësimin online kur duhet të mbyllet një shkollë për shkak të sigurisë shëndetësore, apo një grup shkollash”, tha Shahini.
Ministrja kërkoi që bashkitë të fillojnë pastrimin e shkollave dhe përgatitjen për në shtator, ndërsa theksoi se “partnerët zhvillimor kanë premtuar se do të ndihmojnë me higjienizim”.
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade