Partia Demokratike pritet të depozitojë këtë javë në Parlamentin e Shqipërisë 3 amendamente kushtetuese, një prej të cilave përfshin vetingun e politikanëve në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias të fundvitit 2018.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se vendimi u miratua në mbledhjen e grupit parlamentar.
“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka miratuar sot vendimin për të depozituar brenda kësaj jave në Parlamentin e Shqipërisë, amendamentet kushtetuese për zhbërjen e ndryshimeve të njëanshme të Kushtetutës të 30 korrikut, miratimin e komisionit të reformës zgjedhore, amendamentin kushtetues për vetingun e politikanëve në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias të fundvitit 2018”, deklaroi Basha.
Sipas tij, vetingu i politikanëve për lidhjet e tyre me krimin e organizuar, për pasuritë e tyre, të familjarëve të tyre apo të ortakëve të tyre të hapura apo të fshehura, brenda apo jashtë Shqipërisë, në parajsa fiskale apo banka offshore, është një qëllim legjitim dhe respektojnë po kështu kërkesën për proporcionalitet, që është pjesa e dytë e Komisionit të Venecias duke kërkuar në këtë amendament kushtetues.
“Venecia thotë që i gjithë parashikimi i procesit duhet bërë në Kushtetutë, në mënyrë që këtë proces ta kryejë një njësi e posaçme e strukturës së posaçme antikorrupsion, njohur ndryshe si SPAK, që të marrë përsipër evidentimin një për një të çdo deputeti, kryetari bashkie, ministri, kryeministri, kreut të shtetit, krerëve të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura në raport me lidhje të papërshtatshme, pra me krimin e organizuar, pasuritë dhe ligjshmërinë e tyre në lidhje me personat vetë, familjarët e tyre dhe ortakët e tyre”.
Basha tha se hapja rrugë e reformës territoriale është prioritet absolut i shqiptarëve.
“Kjo për të kthyer, jo vetëm demokracinë dhe përfaqësimin lokal afër njerëzve, por për të rikthyer shërbimet e munguara dhe të shkatërruara nga një reformë që tashmë jo vetëm shqiptarët anë e mbanë vendit, por edhe institucionet ndërkombëtare, nga Këshilli i Evropës, tek Bashkimi Evropian e konsiderojnë të dështuar”, shtoi Basha.///
ME SHUME LAJME
MEMORIE. Sot kujtojmë Prof. Moikom Zeqon, intektualin e rrallë.
Media italiane “TgYou24”: Mes plazheve dhe trashëgimisë kulturore, Shqipëria në krye të tendencave turistike
Himara mes destinacioneve më të kërkuara nga britanikët për verën e 2026-ës