-Si sot 92 vjet më parë, më 14 tetor të vitit 1929, u nda nga jeta rilindasi, etnologu, shkrimtari, arkeologu, kleriku At Shtjefën Gjeçovi.Me përfundimin e kolegjit françeskan në Troshan, në vitin 1888 nisi studimet në Kroaci. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1896 u dorëzua prift dhe shërbeu në Theth, Pejë, Gomsiqe, etj.
At Shtjefën Gjeçovi, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në grumbullimin e shumë gojëdhënave dhe përgatitjen e disa monografive shkencore, përveç kësaj përktheu disa vepra të rëndësishme të letërsisë botërore. Ndër botimet e tij përmenden: “Jeta e shën Luçis, pajtores s’arkidieçezit të Durrsit” (1904), “Mark Kuli Kryeqitas” (1905), “Agimi i qytetnis” (1910), “Shna Ndou i Paduës” (1912), “Atil Reguli” (1912), “Vajza e Orleans-it ase Joana d’Ark”, (1915), “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (1933), “Dashnia e atdheut”, “Shqiptari ngadhënjyes”, “Përkrenarja e Skënderbeut” etj

.Ndihmesën më të rëndësishme ai e dha në fushën e etnologjisë, ku padyshim vepra monumentale mbetet “Kanuni i Lekë Dukagjinit”.
Në punën e gjatë për përgatitjen e kësaj vepre ai i mblodhi rregullat dhe kanunin nga goja e njerëzve, në të gjithë rajonet e veriut ku shërbeu si prift, dhe bëri një përmbledhje shumë interesante, e cila si fillim u botua në revistën “Hylli i Dritës”
.Punoi si mësues për përhapjen e gjuhës shqipe dhe për shkak të veprimtarisë së tij patriotike dhe në shërbim të kombit shqiptar, më 14 tetor 1929, në një pritë të mirë përgatitur prej disa kohësh, u vra nga persona të paidentifikuar në shërbim të pushtetit jugosllav.
Shtjefën Gjeçovit i është dhënë titulli “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Lajpcigut. Imazhet ilustruese të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave janë pjesë e informacionit në lidhje me vrasjen e Shtjefën Gjeçovit./ATSH///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI