Nga Mira MEKSI
Ndërsa kodrat e Tiranës i kanë brejtur ndërtimet e tmerrshme të oligarkëve të babëzitur për betonizim kriminal, ndërsa gjelbërimit i është vënë kazma me kohë, mbetej deri përpara pak kohësh një tempull i vetëm i blertë – Parku i Madh i liqenit artficial. Çdo mëngjes, çdo mbrëmje, gjer në orët e vona shiheshin banorë të të gjitha moshave tek vraponin, shëtisnin, uleshin nëpër kafene, shkurt një mrekulli e paqtë. Pastaj fundjavat kur familjet e Tiranës kalonin orë të bukura në Park, Teatri i hapur me koncertet, filmat, pjesët teatrale, fushat sportive, fëmijët, shkollarët me lloj-lloj aktivitetesh…

Porse jo, duhej zaptuar edhe ky Tempull i fundmë. Një pjesë e mirë e tij është shndërruar në një batërdi: rrethime me tela të hapësirave të gjëra, duke ngushtuar udhët dhe duke kufizuar lëvizjen, muzikë në kupë të qiellit, pushtimi i fushës së re sportive ku vraponin çdo ditë sportistë, të rinj, ku bëheshin gara shkollarësh, me çadra fushimi që të kujtojnë për tmerr fushimet ushtarake të dushmanit…Pastaj, o Zot, një tërmet publicitar me flamuj të Coca Colas, të Red Bullit, të kompanive të telefonisë celulare që na ka rrjepur së gjalli, dhe një lumnajë me plehra, llahtar sa shumë plehra – shtëpiza butaforike për bileta e më the të thashë. Sërish rrethime…

Tela, pankarta në anglisht, sa shumë kemi ndryshuar! Punonjëset e shërbimit të Bashkisë kryqethyera nga puna vigane, nuk ia dalin dot! Mendova se do të ishte një fundjave, jo jo vijon keq e mos më keq, e gjithë java është batërdi me apo pa koncert rrethimet vazhdojnë… Sot mëngjesi me gjeti në Park duke bërë ecje sportive me pengesa telave, shisheve, kanoçeve, hyrje-daljeve për bileta, gjersa u dëshpërova dhe nuk durova dot, u largova. Po përse vallë këto të famshme koncerte nuk organizohet gjetkë?!

Përse nuk na lenë një të vetëm park të gjelbëruar që kemi? Dikur nuk ndodhte kështu. Dhe ulërima del nga rropullitë e mia: MOS E PREKNI PARKUN E MADH TË LIQENIT!///
ME SHUME LAJME
Media franceze: Riviera dhe Alpet shqiptare, mes destinacioneve që po tërheqin vëmendjen e botës
Borsh. Arrestimi i Moisi Habilajt, Policia e Vlorës zbardh detaje nga operacioni
“Protesta ka një frymë fashiste që duhet ndalur”, Rama: S’i kuptoj prurjet nga territore të tjera, s’kanë lidhje me Vlorën!