SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Media franceze: Riviera dhe Alpet shqiptare, mes destinacioneve që po tërheqin vëmendjen e botës

 – Shqipëria është renditur nga revista franceze “Quartz” mes destinacioneve më premtuese në botë, që sipas ekspertëve të udhëtimeve duhen vizituar përpara se të përballen me fluksin e turizmit masiv.

Sipas artikullit, Shqipëria ka fituar vëmendje të veçantë gjatë viteve të fundit falë kombinimit të vijës bregdetare në Adriatik dhe Jon, peizazheve malore mbresëlënëse dhe kostove më të ulëta krahasuar me destinacionet e tjera të Mesdheut.

Ekspertët e turizmit vlerësojnë se plazhet e Rivierës Shqiptare janë të ngjashme, me ato të Bregut Amalfi në Itali, por pa mbipopullimin turistik, që karakterizon sot shumë destinacione të njohura evropiane. 

Nga Saranda deri në kufirin me Greqinë, Riviera ofron ujëra të kristalta, plazhe me rërë dhe gurë, si dhe fshatra piktoreskë të vendosur mbi brigje shkëmbore.

Revista ndalet gjithashtu te potenciali i turizmit malor, duke veçuar Thethin dhe Alpet Shqiptare. 

Sipas saj, shtigjet e ecjes dhe arkitektura tradicionale prej guri, krijojnë një përvojë që krahasohet me vargmalet më të njohura evropiane, por me një numër shumë më të vogël vizitorësh.

Vlerësim të veçantë merr edhe gastronomia shqiptare. 

Prodhimet e freskëta të detit, rakia tradicionale dhe gatimet e bazuara në produkte vendase, konsiderohen pjesë e një përvoje autentike, që ende ruan karakterin e saj lokal.

Shqipëria vazhdon të ruajë atmosferën e saj origjinale dhe mikpritjen karakteristike, pavarësisht përmirësimit të ndjeshëm të infrastrukturës turistike në vitet e fundit.

Në listën e destinacioneve që rekomandohen të vizitohen përpara se të bëhen shumë të frekuentuara, përfshihen edhe Italia, Meksika, Mali i Zi, Laosi, Butani, Sllovenia, Kanadaja, Greqia dhe Uganda. 

Ekspertët theksojnë se këto vende ndodhen në një fazë zhvillimi, ku autenticiteti i tyre është ende i paprekur, por që mund të ndryshojë me rritjen e turizmit në vitet e ardhshme. /(Atila KOTA)///

error: