Roland Bejko i PD-së deklaroi sot se me iniciativë të PD-së, fillon rishikimi i Reformës Administrativo-Territoriale.
Në një deklaratë për mediet, Bejko u shpreh se “me iniciativën dhe pas kërkesës së shtatë deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e fundit plenare të datës 10 shkurt 2022, ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale me një mandat gjashtëmujor të veprimtarisë së tij me objekt rishikimin e Reformës Administrativo-Territoriale të miratuar më 2014-ën në mënyrë të njëanshme nga koalicioni PS-LSI”.
“Partia Demokratike e ndërmori këtë iniciativë për rishikimin e Reformës Administrativo-Territoriale mbështetur mbi reagimet e shumta të qytetarëve, raporteve të organizatave jofitimprurëse dhe botës akademike, raporteve të organizatave dhe institucioneve të huaja si Kongresi i Autoriteteve Lokale i KE-së, konkluzioneve të raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, progres raporteve vjetore të BE-së, rekomandimeve të donatorëve të huaj në Shqipëri që të gjitha së bashku bien dakord se Reforma Administrativo-Territoriale dhe ligji për Vetëqeverisjen Vendore kanë nevojë urgjente për një analizë dhe rishikim të thelluar. Pavarësisht se Reforma Administrative-Territoriale ishte e domosdoshme, ajo nuk ka reflektuar plotësisht parimet e Kartës Europiane të Autonomisë Vendore”, tha ai.
Po ashtu, Bejko shton se “me qëllimin për t’u ardhur në ndihmë përfaqësuesve të saj në Komisionin e posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, Partia Demokratike e Shqipërisë i bën me dije opinionit publik se brenda pak ditëve merr formë dhe fillon nga veprimtaria një grup pune me ekspertët më të mirë që ajo ka në fushën e qeverisjes vendore, duke kapitalizuar përvojën më të mirë të ish- drejtuesve të pushtetit vendor në vite, dhe në bashkëpunim me përfaqësues të shoqërisë civile e botës akademike, do të nisë një tur bashkëbisedimesh në të gjitha qarqet e vendit për të marrë prej qytetarëve dhe grupeve të ndryshme të interesit gjithë mendimet e vlefshme mbi korrigjimin e gjithçkaje që ka shkuar keq në zbatimin e Reformës Administrativo-Territoriale me synimin e vetëm, jo vetëm të përmirësimit të efikasitetit në ofrimin e shërbimeve në vetqeverisjen vendore, por ç’është më e rëndësishmja, edhe për thellimin e mëtejshëm të decentralizimit dhe demokracisë vendore në përputhje të plotë me Kartën Evropiane të Autonomisë Lokale”.
“Partia Demokratike e Shqipërisë është e bindur se reformat e mëdha, për të qenë të qëndrueshme në kohë dhe efikase në qëllimet e tyre, kanë nevojë për dialogun politik, kuvendimin publik dhe konsensusin e gjerë politik, në përputhje me vullnetin e shumicës së qytetarëve, frymës së Kushtetutës së vendit dhe detyrimeve që burojnë nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe veçanërisht ato të BE-së”, tha ai. ///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI