SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Berisha: Reforma territoriale, platformë për shpopullimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se reforma territoriale e vitit 2014, ishte goditja më e fuqishme që iu bë parimit demokratik të decentralizimit.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët përmes mediave sociale, Berisha tha se reforma territoriale e vitit 2014, reduktoi numrin e njësive të qeverisjes vendore në 61 bashki.

Sipas Berishës, reforma, së bashku me politikat e ndjekura nga qeveria që prej vitit 2014, ka ndikuar në largimin e banorëve nga zonat rurale dhe qytetet, për shkak të mungesës së shërbimeve, problemeve në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë.

“Ishte platforma më e egër për shpopullimin e Shqipërisë dhe largimin, dëbimin e shqiptarëve nga Shqipëria, për mungesë shërbimesh, për bojkot total të tyre”, tha Berisha.

Berisha u ndal edhe tek drafti i propozuar nga mazhoranca socialiste për ndarjen e re territoriale. Ai tha se po reduktimi i numrit të bashkive nga 61 në 46 do të thellojë centralizimin e pushtetit.

Sipas tij, ky propozim ka shkaktuar reagim të banorëve në disa zona të vendit.

“Përshëndes të gjithë ata qytetarë, të rinj, të moshuar, burra, gra, që në 70 ditë protestë lartësuan si kurrë më parë nderin dhe dinjitetin e kombit shqiptar në betejën e tij për të ardhme”, u shpreh ai.

Berisha tha se qeveria po përpiqet që të përqendrojë pushtetet dhe centralizojë qeverisjen vendore, duke e cilësuar këtë si një politikë që, sipas tij, dobëson demokracinë lokale dhe nxit largimin e shqiptarëve nga vendi.

“Edi Rama me këtë centralizim prej sulltani që nuk e ka patur kurrë në historinë e Shqipërisë një sundues, kërkon që çdo pushtet ta ketë në pëllëmbë të dorës. Kërkon të vazhdojë më tej zbimin e shqiptarëve dhe mbushjen e Shqipërisë me qytetarë të marrë nga Azia apo vende të tjera në aktin më kriminal, më antishqiptar”, tha ai.(Marseda QEFALIA)///

error: