Prej ditës së sotme kanë nisur të zbatohen ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, të cilat ashpërsojnë masat ndaj shkelësve me synim rritjen e sigurisë rrugore dhe uljen e aksidenteve.
Sipas ligjit, këto ndryshime parashikojnë heqjen përfundimtare të lejes së drejtimit për drejtuesit e mjeteve që kapen në mënyrë të përsëritur duke drejtuar automjetin nën efektin e alkoolit.
Po ashtu, drejtimi i automjetit pa leje drejtimi shoqërohet me masa më të ashpra. Personat madhorë që kryejnë këtë shkelje do të gjobiten dhe nuk do të mund të pajisen me patentë sipas rregullave të reja, ndërsa të miturit e kapur duke drejtuar automjet do të kenë të drejtë të regjistrohen në autoshkollë vetëm pasi të kenë mbushur moshën 20 vjeç.
Kodi i ndryshuar vendos kufizime edhe për drejtuesit e rinj, të cilët nuk mund të qarkullojnë në autostradë me shpejtësi mbi 90 kilometra në orë. Shkelja e këtij kufiri dënohet me gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim të lejes së drejtimit për një muaj dhe zbritje pikësh.
Një tjetër risi është se pezullimi i patentës nuk mund të zëvendësohet më me pagesën e një gjobe të dyfishuar.
Masat ndëshkuese janë ashpërsuar edhe për tejkalimin e shpejtësisë në zonat e banuara, pranë shkollave, si dhe për garat apo manovrat e rrezikshme në rrugë, për të cilat parashikohen gjoba nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.
Gjithashtu, drejtuesve që konstatohen dy herë brenda një viti duke përdorur telefonin celular gjatë drejtimit të automjetit do t’u pezullohet leja e drejtimit për tre muaj.
Ndryshimet përfshijnë edhe përdoruesit e biçikletave, motorëve deri në 50 kubikë dhe monopatinave elektrike, për të cilët nga sot ndalohet përdorimi i telefonit celular gjatë lëvizjes.///
ME SHUME LAJME
Policia Rrugore e Vlorës dhe e Sarandës, monitorim intensiv i akseve rrugore
Finiq. Kadastra vijon procesin e regjistrimit të pronave në fshatrat Aliko dhe Çaush
Rregullorja e GJKKO-së si paradhoma e një diktature