Nga Viktor AVDIA
Historia i foli të sotmes- Në fshatin Senicë, të njohur si “ballkon” i krahinës së Rrëzomës, 254 vite më parë u mbajt një kuvend me përmasa panjugore, që ka hyrë në histori si Kuvendi i Besës. Kjo ngjarje historike dhe mesazhet që vijnë nga historia për të sotmen, ka mbledhur sërish këtë prill seniciotët, bashkëkrahinorët e tyre dhe miq nga treva të ndryshme të jugut.

Senica i priti të gjithë me urimim: “Mirësevini në Senicën me Histori dhe me Dashuri”. Erdhën seniciotë nga Saranda e Delvina, nga Tirana, Elbasani, Librazhdi e Vlora, nga Greqia e deri nga Anglia. Mori pjesë edhe Filip Xuxi, Nënkryetar i Bashkisë Delvinë. Mysafirët më të veçantë ishin ftuarit nga Zhulati i Gjirokastrës. Kjo, për shkak se Kuvendi i Senicës i prillit 1770 kishte protagonist Idriz Sullin nga Zhulati, që mbështetës të parë pati Kryeplakun e asaj kohe të fshatit Senicë, Kostë Priftin. Miqtë nga Zhulati, të kryesuar nga Murat Keraj, u pritën në hyrje të Senicës nga Kryetari aktual i fshatit të Besëlidhjes, Llambi Nika, nga kryetari i Shoqatës “Besëlidhja e Vëllazërisë Seniciote”, Albert Jorgji dhe aktivistë të tjerë. Eventi dedikuar Kuvendit të Besës, nisi me vendosjen e buqetave me lule tek Memoriali në qendët të fshatit. Llambi Nika, kryetar i fshatit, u dha mirëserdhjen të gjithë të pranishmëve.

Përfaqësues të disa krahinave si: nga Senica, Zhulati, Fushëbardha, Delvina, Vergoi, Kopaçeza, Fushëvërria, Bregdeti e Çamëria, bënë gjestin e vënies së pëllëmbëve mbi gurin historik të lidhjes së Besës, njësoj si 254 vite më parë. Në Kodrën e Kuvendit të Burrave, Kryetari i Shoqatës, Albert Jorgji nënvizoi se mbajtja gjallë e trashëgimisë së vyer, në funksion të rritjes së dashurisë për vendlindjen, është parësore për “Besëlidhjen e Vëllazërisë Seniciote”. Në evokim të Kuvendit të Besës, u mbajtën disa kumtesa. Kostaq Xuxi tregoi ndër të tjera, për dy kamaret e Kodrës së Senicës, ku më 1770 u vendosën Kurani dhe Bibla, si simbol i bashkimit pa dallim feje, pa hasmëri, pa gjaksi e hajdutëri, kundër sundimit osman. Murat Keraj nga Zhulati foli për Kuvendet e Senicës dhe Taroninës, si Kuvende të ligjvënies dhe bashkëjetesës. Krijuesja Urani Nika foli për krijimtarinë gojore që është trashëguar nga pasqyrimi i kësaj ngjarjeje. Ndërsa gazetari Thoma Nika tregoi për ritet dhe doket që janë frymëzuar nga Kuvendi i Besës dhe përsëriten ende sot në çdo lindje, kurorëzim çifti apo përcjellje mortore. Eventin e Senicës e përshëndeti edhe Asim Canaj, Kryetar i Shoqatës “Labëria” për Sarandën, si dhe Vladimir Kumi, përfaqësues i Bregdetit dhe biznesmeni Shpëtim Ahmeti, mik i Senicës dhe seniciotëve.
Dritë të re për Kuvendet e Jugut hodhi studjuesi Jupe Gavoi, ndërsa Kapo Gjoça, kryetar i fshatit Zhulat, shprehu vlerësim që trashëgimia e ardhur nga Besëlidhja e Senicës, transmetohet në shekuj e në breza. Familja e tre muzikantëve Xuxi, Kostaqi, Genti dhe Martini, i ardhur enkas nga Londra, ku studjon muzikë, performuan për të pranishmit në violinë dhe fizarmonikë. Grupi “Besëlidhja” i Senicës, si dhe ai i Fushëbardhës e Delvinës, transmetuan mesazhet historike të Kuvendit të Besës, përmes polifonisë. Në Besëlidhjen e Senicës të 10-13 prillit 1770, morën pjesë përfaqësues nga krahinat e Shqipërisë së Jugut: nga Delvina, Himara, Labëria, Lumi i Vlorës, Zhulati, Rrëzoma, Bregdeti dhe Çamëria. Në misionin e Kuvendit të Senicës ishte të bashkonte, organizonte dhe të drejtonte luftë. kundër pushtuesve osmanë./sarandaNews.al///
ME SHUME LAJME
9 Maji, Dita e Evropës
Zbardhet dinamika e vrasjes në Sarandë, shpallet në kërkim autori dhe pesë të tjerë
Kulturë. Përkthyesi Vangjel Zafirati boton në Greqi antologjinë me poezi bashkohore shqipe “VARGJET QË VRANË POETIN”