“Në zbulim të thesareve të Shqipërisë” titullohet dokumentari i realizuar nga Bettany Hughes, që do të shfaqet këtë të shtunë në premierë në kanalin televiziv britanik Channel 4. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale. “Pas suksesit të vitit të kaluar, një tjetër dokumentar promovues për Shqipërinë turistike nga profesoresha Bettany Hughes, rrëfimtare e vendit tonë jo vetëm përmes peizazheve dhe të dukshmes, por duke i qëmtuar shpirtin, historinë dhe duke i prekur mikpritjen”, shkruan Rama.
Kryeministri Rama tha se dokumentari do të transmetohet këtë të shtunë në orën 19:00, premierë në Channel 4. Edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale lajmin për transmetimin e këtij dokumentari në kanalin britanik. Vitin e kaluar Hughes realizoi dokumentarin “Mrekullitë e Shqipërisë”, që u transmetua gjithashtu në kanalin Channel 4. Në këtë dokumentar Hughes solli bukuritë e Shqipërisë, që nga qytetet mahnitëse romake, tek arkeologjia e Mesjetës së Hershme, nga xhevahiret e qytetërimit osman, deri te bunkerët brutalë komunistë.
Shqipëria është e pasur me bukuri natyrore, si peizazhet malore dhe bregdeti mahnitës, të cilat i gjejmë shpesh edhe në guidat e revistat më prestigjioze në botë. Por, përveç këtyre, një vend të veçantë po zë gjithnjë e më shumë turizmi kulturor, ku muzetë dhe kalatë e shumta anembanë Shqipërisë po tërheqin një numër përherë e më të madh vizitorësh vendas, por edhe të huaj.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI