Këngëtari mban fjalën e dhënë fëmijëve që nuk zhvillonin dot kurse muzikore.
TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Ashtu siç kishte premtuar gjatë vizitës për koncertin e tij në Shqipëri në muajin shtator, këngëtari Ermal Meta ka dhuruar një kamion me vegla muzikore për dy shtëpitë e fëmijës, Shtëpinë Rozalba dhe Casa Betania, dy strehëza për të mitur që kanë nevojë për mbështetje. Artisti i mirënjohur shqiptar dhe i suksesshëm edhe në Itali ku e ka zhvilluar karrierën e tij muzikore, iu ka kthyer kështu buzëqeshjen dhjetëra fëmijëve në këtë prag festash të fundvitit përmes gjestit të tij human.
“Çfarë mund të themi para një mrekullie të tillë përveç një faleminderit me gjithë zemër! Faleminderit që u ktheve! Na duket akoma një ëndërr! Faleminderit që na dhurove buzëqeshjen tënde plot dashuri! Faleminderit për të gjitha instrumentet muzikore që na solle! Për ne do të kishte qenë e pamundur t’i blinim. Sot, falë teje, ato instrumenta janë pasuria jonë e çmuar. Të premtojmë që herën tjetër do të na gjesh duke luajtur violinën, kitarën, pianon, klarinetën dhe të gjitha instrumentat e tjera,” shkruan me anë të një mesazhi në rrjetet sociale Shtëpia Rozalba e cila ndodhet në Gjadër të Lezhës.

Këngëtari Ermal Meta, i cili shoqërohej edhe nga ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci, ka mbajtur kështu fjalën e dhënë ndaj fëmijëve që u nevojiteshin vegla muzikore dhe pajisje për kurset që ofrojnë Shtëpitë e Fëmijës.///
ME SHUME LAJME
𝐑𝐫𝐮𝐠𝐚 𝐉𝐚𝐧𝐢𝐧ë–𝐊𝐚𝐤𝐚𝐯𝐢𝐣ë, vijojnë punimet në disa fronte.
Akte dhune gjatë protestës, gjashtë të arrestuar në Tiranë
Shqipëria synon 15.5 milionë turistë në vitin 2027, rritet kontributi i turizmit në ekonomi