Më 16 shtator 1943 u grabit ari i Bankës së Shqipërisë.
Operacioni u drejtua nga majori SS, Herbert Kappler. Sasia e grabitur e arit përllogaritet të arrijë sasinë e 23.408 kilogramëve. Ari u zhvendos nga Roma drejt “Rajh Bank”-ut dhe më pas u fsheh në minierën e kaliumit të Merkensit të Turingisë. Në vijim, ari u transferua nga aleatët në mënyrë të pjesshme drejt Anglisë dhe Bankës Federale të New York-ut.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikon shënime mbi arin rezervë të monedhës shqiptare. Me notën e 3 nëntorit 1943, drejtuar Kryekonsullatës gjermane, qeveria shqiptare kërkoi që ari të depozitohej në Zvicër pranë Bankës së emisionit, duke argumentuar se si shtet neutral, Zvicra do i jepte besimin mbajtësit të kartëmonedhës shqiptare për sigurimin e kundërvlerës përkatëse.
Më 10 nëntor 1943, Kryekonsullata gjermane tregoi gatishmërinë për të pritur në “Rajh Bank” një komision shqiptar. Në mars 1944, u nis drejt Berlinit komisioni i zgjedhur, i kryesuar prej Vehbi Frashërit dhe me anëtarë ish-drejtuesit e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, Loro Musani dhe Sandro Bressan. Në pamundësi për ta çuar në Zvicër, ari mund të depozitohej për ruajtje në “Rajh Bank” vetëm në emrin e shtetit shqiptar ose në emër të shtetit dhe të Bankës Kombëtare.
Më 6 prill 1944 ari u depozitua për ruajtje pranë “Rajh Bank”-ut në Berlin vetëm në emër të Bankës Kombëtare. Mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane u nënshkrua një protokoll, ku përcaktoheshin përgjegjësitë e palëve nënshkruese.



ME SHUME LAJME
Kulturë. Përkthyesi Vangjel Zafirati boton në Greqi antologjinë me poezi bashkohore shqipe “VARGJET QË VRANË POETIN”
Një karrocë fëmijësh për kryeministrat
Policia masa shtesë për parandalimin e aksidenteve rrugore