Ministria e Kulturës dhe Fondacioni i Menaxhimit të Butrintit nënshkruan dje marrëveshjen e administrimit të pasurisë kulturore të Parkut të Butrintit.
Kjo marrëveshje u nënshkrua nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe bashkëdrejtorët ekzekutivë të AADF-së Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli, të autorizuar nga Bordi i Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit.

Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, u firmos protokolli i bashkëpunimit midis Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit dhe Institutit të Arkeologjisë të përfaqësuar nga Belisa Muka. Gjithashtu, marrëveshja e grantit u firmos midis bashkëdrejtorëve ekzekutivë të AADF-së, Martin Mata, Aleksandër Sarapuli dhe ministres Elva Margariti në rolin e kryetares së Bordit të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit.

Ministrja Margariti tha në fjalën e saj se “ka pasur shumë debate, pikëpyetje, keqinformime, por gjej rastin të qetësoj këdo në lidhje me pronësinë e Butrintit, se në çdo rast, pronësia e territorit dhe aseteve i mbetet Ministrisë, si përfaqësues i shtetit”.
“Bordi i Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës e 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë, që do të sigurojë paanshmërinë e këtij bordi vendimmarrës është një figurë e njohur e trashëgimisë kulturore, Richard Hodges, një njohës i mirë i Butrintit, që do të shërbejë si garanci dhe paanshmëri”, tha Margariti.
Ministrja Margariti u shpreh se “marrëveshja që po lidhim sot krijon një model menaxhimi hibrid jofitimprurës ku shteti është pjesë, por i jep zë dhe garanci edhe donatorit për administrimin e fondeve”.
Sipas saj, kjo marrëveshje krijon një marrëdhënie të mirërregulluar mes fondacionit të posaçëm dhe aktorëve të rëndësishëm institucionalë në Butrint, përmes Protokollit të bashkëpunimit me Institutin e Arkeologjisë; bashkëpunimit me agjencitë e mbrojtjes mjedisore.
“Çdo e ardhur në arkën e Butrintit do t’i shkojë sërish Butrintit duke e kthyer edhe në një qendër studimore dhe edukuese për brezin e ri”, shtoi Margariti.
Plani i menaxhimit të integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit, parashikon se një nga sitet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit në dhjetë vite do të menaxhohet nga një fondacion i ri.
Plani i ri synon, që të prodhojë, krahas planit të përgjithshëm të menaxhimit, një plan biznesi të ri për zonën UNESCO të Butrintit, si dhe përgatitjen e një harte të përditësuar GIS për gjithë territorin e Parkut Kombëtar të Butrintit 9 000 ha.
Qyteti antik i Butrintit për herë të parë u shpall monument kulture më 1948, ndërsa më 1999 u regjistrua në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin jug-lindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysmë të kripur dhe gjysmë të ëmbël dhe në njërën anë nga kanali i Vivarit.//
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI